Messi dhe Ronaldo as që mund t’i afrohen Lewandowskit, thotë Funkel

Prishtinë | 23 Gus 2020 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Robert Lewandowski është opsioni i vetëm i mundshëm për t’u shpallur lojtari më i mirë i vitit, pas paraqitjeve madhështore që i ka bërë për Bayern Munich këtë sezon, thotë ish-mesfushori bavarez, Friedhelm Funkel.

Sulmuesi 32-vjeçar i ka shënuar 55 gola në 46 paraqitje këtë sezon, duke i ndihmuar Bayernit ta fitojë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, si dhe ta arrijë finalen në Ligën e Kampionëve.

Çmimi Topi i Artë është anuluar për këtë vit, për shkak të pandemisë koronavirus, derisa çmimet për më të mirët e FIFA-s, që duhej të ndaheshin në shtator, u shtynë në muajin maj.

Pavarësisht këtyre, ish-trajneri i Eintracht Frankfurt dhe Hertha Berlin Funkel është i bindur se Lewandowski ka qenë lojtari më i mirë pa asnjë dyshim këtë sezon, duke i lënë Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin shumë prapa.

“Paraqitjet e Lewandowskit në Bundesligë, kupë dhe në Ligën e Kampionëve këtë sezon kanë qenë madhështore”, tha Funkel për Sky Sports.

“Askush nuk ka mundur t’i afrohet Lewandowskit këtë vit në atë që ai e ka arritur. Ai ka shënuar shumë, shumë gola, por edhe ka dhënë shumë asiste”, shtoi ai.

Të ngjashme