“Messi do të kthehet në Barcelonë”

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Diego Sinagra, i biri i legjendarit Diego Maradona e ka shprehur bindjen e tij se Lionel Messi do të rikthehet në Barcelonë.

Sipas tij, ylli argjentinas madje do ta bëjë rikthimin në klubin e tij të fëmijërisë dhe të zemrës sapo të hapet afati kalimtar i verës.

Shtatë herë fituesi i Topit të artë e kishte nisur karrierën tek Barça në vitin 2004, shkruan “Gazeta Express”.

Ai e ndihmoi klubin spanjoll në fitimin e 34 trofeve, duke i përfshirë 10 tituj në La Liga, por shkëlqeu edhe në Ligën e Kampionëve.

Shkaku i problemeve financiare, gjiganti katalunas e lejoi lojtarin të largohej verën e kaluar.

Si rezultat i kësaj, Messi iu bashkua Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë pasi i kishte skaduar kontrata në “Camp Nou”.

“Jam i bindur se Leo Messi do të rikthehet në Barcelonë. Ndoshta verën që vjen”, deklaroi për “Diario Sport” Maradona Junior, i cili aktualisht është trajner i ekipit nga ligat më të ulta të futbollit italian, Napoli United.

“Është e qartë se ai është lojtar i madh dhe kur je ashtu, mund ta shfaqësh këtë kudo që je. Mirëpo, vendi i tij është Barcelona, pa asnjë dyshim”, shtoi ai.

Messi megjithatë nuk e ka nisur mirë sa duhet eksperiencën franceze, ku po has në vështirësi për t’u përshtatur në “Parkun e Princave”. 

Të ngjashme