Messi e Rapinoe po pritet të ngadhënjejnë në ceremoninë e “Topit të Artë”

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Emrat më të mëdhenj të botës së futbollit do të zbarkojnë në Paris të hënën (sot) për ceremoninë “Topi i Artë 2019”, ku Lionel Messi dhe Megan Rapinoe po pritet të largohen me çmimet kryesore.

Do të ishte befasi e madhe nëse Rapinoe nuk largohet nga Parisi me çmimin e futbollistes së vitit, pasi udhëhoqi SHBA-në drejt titullit të botës.

Dyshime ka rreth identitetit të fituesit të “Topit të Artë”, një vit pasi që kroati Luka Modriq mori këtë trofe të madh, pasi e udhëhoqi Kroacinë drejt finales në Kupën e Botës dhe fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin, raporton AFP, transmeton Koha Ditore.

Kjo i dha fund një dekade të dominimit të Messit e Cristiano Ronaldos, të cilët kishin fituar nga pesë herë këtë çmim. Por basti më i sigurt është që superylli i Barcelonës, Messi, të fitojë këtë trofe të madh për herë të gjashtë.

Ka 30 të nominuar në total për çmimin, që organizohet nga revista franceze “France Football” dhe ku votojnë 180 gazetarë nga mbarë bota.

Në mesin e emrave të tjerë është edhe Cristiano Ronaldo, si dhe disa yje të skuadrës së Liverpoolit, që fitoi Ligën e Kampionëve, ku kryesori ishte mbrojtësi holandez Virgil van Dijk.

Në një moment ai dukej favorit, por Messi e mposhti atë në shtator për çmimin e futbollistit të vitit nga FIFA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme