Messi ka perfeksionuar gjuajtjet e lira

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi po vazhdon të thyejë rekorde. Edhe në moshën 32-vjeçare, argjentinasi po vazhdon të arrijë maja të pashembullta dhe ka regjistruar një rekord të ri në fundjavë.

Messi shënoi tre gola – dy nga gjuajtja e lirë dhe një nga penalltia – në fitoren e thellë 4:1, që Barcelona e arriti në shtëpi të shtunën ndaj Celta Vigos.

“Është e pamundur të mos varesh nga Messi”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde. “Ai ndriçon çdo gjë. Është një gjë që kemi në favorin tonë dhe rivalët tanë na kanë frikën për shkak të kësaj”.

Me tre gola të shënuar të shtunën, Messi ka arritur në shifrën e 40 golave për shtet dhe klub këtë vit.

Është viti i 11-të rresht që sulmuesi ka arritur këtë shifër.

Cristiano Ronaldo, që krahasohet vazhdimisht me Messin se cili është më i miri në botën e futbollit, ka shënuar së paku 40 gola në çdo vit që nga 2010-a, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Mirëpo ai ka vetëm 29 gola në vitin 2019, kështu që mund të ketë vështirësi të arrijë këtë shifër prej 40 golave në vitin e dhjetë rresht.

Me fitoren e shënuar Barcelona ka marrë kreun në La Liga me 25 pikë nga 12 ndeshje, sa i ka edhe Real Madridi që zë vendin e dytë. Por Barcelona ka goldallim më të mirë.

Messi nisi serinë e golave duke realizuar nga penalltia, pasi Joseph Aidoo kishte luajtur me dorë në zonë. Celta Vigo barazoi shifrat me një gol nga gjuajtja e lirë të shënuar nga Lucas Olaza, para se Messi ta dërgojë Barcelonën në epërsi pak para pauzës mes pjesëlojëve, me një gol nga gjuajtja e lirë. Ai e realizoi edhe golin e tij të dytë nga gjuajtja e lirë në ndeshje, në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Sergio Busquets shënoi golin e fundit për skuadrën katalunase.

Messi ka barazuar rekordin e Cristiano Ronaldos prej 34 “hat-trickave” të shënuar në La Liga. Njëherësh ka arritur shifrën e 52 golave nga gjuajtjet e lira.

“Me Leon gjithçka është e mundur. Ai ka mjeshtëruar në perfeksion ekzekutimin e gjuajtjeve të lira. Për shkak të kësaj, kundërshtarët nuk guxojnë të bëjnë ndërhyrje të palejueshme në afërsi të zonës së tyre. Nëse e bëjnë këtë, atëherë shikojmë të përfitojmë”, ka thënë Valverde.

Barcelona ka marrë veten pas humbjes së pësuar në La Liga nga Levante fundjavën e kaluar, 3:1.
“Pas asaj humbjeje është mirë që fituam. Ne patëm një humbje dëmtuese dhe na duhej fitorja”, ka shtuar Valverde.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme