Messi, lojtari më i mirë i muajit në La Liga

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Lojtari më i famshëm i La Ligës, ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e ka fituar çmimin për lojtarin më të mirë të muajit shtator në ligën spanjolle, për shkak të tri golave dhe katër asisteve që ka bërë gjatë ndeshjeve të këtij muaji në këtë garë.

Sa i përket golave, për ta vërejtur ndikimin e argjentinasit në performancat dhe rezultatet e Barcelonës duhet të theksohet se gjysma e golave të shënuara nga katalonasit në këtë muaj janë shënuar nga Messi, transmeton Gazeta Express.

Barcelona e kishte filluar shtatorin në mënyrë të mrekullueshme, duke siguruar fitore me rezultat 8-2 kundër Huescas. Megjithatë, ata nuk e përfunduan në të njëjtën mënyrë, pasi nga tri ndeshjet e fundit, një e humbën, ndërsa dy i barazuan.

Sipas La Ligës, kapiteni i blaugranëve do ta marrë këtë çmim para ndeshjes kundër Sevillës këtë të shtunë në Camp Nou, në xhiron e nëntë të këtij sezoni të La Ligës. Për momentin, Sevilla renditet në pozitën e parë, me një pikë më shumë se Barcelona.

Lionel Messi është gjithashtu një nga 30 futbollistët e nominuar për çmimin e organizuar nga France Football, “Topi i Artë”. Fituesi i këtij çmimi do të shpallet më 3 dhjetor.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme