Messi me mesazh emocionues për Maradonën, pas operacionit në tru

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi, i ka uruar riaftësim sa më të shpejtë bashkëkombësit të vet legjendar, Diego Armando Maradonës, i cili u operua në tru të martën.

Legjenda e Argjentinës Maradona u operua me sukses në tru të martën vonë, sipas doktorit të tij personal, Leopoldo Luque, raporton Gazeta Express.

Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 1986 u shtrua në spitalin e Buenos Aires Ipensa të hënën, pasi kishte pësuar anemi dhe dehidrim.

Ai u operua urgjentisht të martën më mbrëmje dhe doktori i tij Luque ka thënë se Maradona e përballoi mirë operacionin.

Sulmuesi i Barcelonës Messi – i cili luajti nën urdhrat e Maradonës në Kupën e Botës 2010 – i ka dërguar mesazh mbështetës ish-trajnerit të vet.

“Familja ime dhe unë duam të të shohim shëndosh e mirë sa më shpejt që është e mundur. Të përqafoj me zemër”

Maradona do të mbetet nën kujdesin e mjekëve, sipas Luque.

Maradona u transferua në Kliniken Olivos në La Plata, ku u operua nga mjeku Luque, i cili është neurokirurg. Operimi i tij zgjati 80 minuta.

Maradona është trajner i Gimnasia y Esgrima në ligën elitare të Argjentinës.

Ai e udhëhoqi ekipin e tij kundër Patronatos të premten, ditën e ditëlindjes së vet të 60-të.

Përkrahësit e Gimnasia y Esgrima janë mbledhur pranë spitalin për t’i ofruar mesazhe përkrahëse ish-sulmuesit argjentinas. 

Të ngjashme