Messi, në Inter apo në Manchester City?

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi është i gatshëm ta braktisë Barcelonën dhe Interi dhe Manchester City janë dy mundësitë e vetme të mirëfillta ku ai mund të luajë në të ardhmen, sipas mediave spanjolle.

Superylli argjentinas e ka kaluar tërë karrierën e vet të bujshme në Camp Nou, por marrëveshja e tanishme me Barçën i mbaron në qershor të vitit 2021 dhe ripërtëritja e saj nuk duket aspak e mundshme, transmeton Gazeta Express.

Humbja historike e Barcelonës kundër Bayern Munich me rezultat turpërues 8:2 e shënoi fundin e një epoke, prandaj priten ndryshime rrënjësore në klubin katalonas.

Gazeta spanjolle “AS” e bën të qartë se Messi mund të vendosë për të ardhmen e vet nga janari, ndërsa gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport” ka sugjeruar shpesh se Interi po bën strategji afatgjate për ta sjellë atë në San Siro.

Interi nuk po ngutet për të arritur marrëveshje për të, sepse pret që Messi të largohet si lojtar i lirë dhe të nënshkruajë kontratë të madhe me të, e cila do të financohej nga pronari i klubit, Grupi Suning.

Klubi tjetër ku Messi mund të luajë është Manchester City, në të cilin ka ish-figura të Barcelonës tani, përfshirë Pep Guardiolën.

Por fakti se City nuk është në gjendje ta kalojë as çerekfinalen në Ligën e Kampionëve dhe kontrata e Guardiolës skadon verën e ardhshme, mund të bëjë që Messi ta zgjedhë Interin më përpara.

Të ngjashme