Messi nuk është i befasuar me formën e lartë të Ronaldos

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi nuk është i befasuar me formën e lartë që po tregon Cristiano Ronaldo me Juventusin në Serie A.

Ai ka vlerësuar aftësitë e sulmuesit për të gjetur golin.

Ronaldo ka shënuar në 11 ndeshje rresht në ligë për Juventusin, ndonëse ka mbushur 35 vjet këtë muaj. Ai ka 24 gola këtë stinor.

Messi, ndërkohë, ka katër ndeshje që nuk ka shënuar gol, por ka asistuar gjashtë herë në tri ndeshjet e fundit me Barcelonën.

Ndonëse të dy lojtarët gjithmonë kanë qenë shënues fenomenal, Messi beson se Ronaldo e ka bërë obsesion shënimin e golave dhe nuk është i befasuar që ylli portugez po vazhdon të luajë në nivel të lartë.

“Është normale që ai vazhdon të shënojë gola, ai adhuron të shënojë, ai do të shënojë sa herë që luan”, ka thënë Messi në intervistë për “Mundo Deportivo”. “Ai ka shumë atribute të mira si sulmues dhe në rastin më të vogël që i ofrohet ai shënon”.

Messi vet ka shënuar 14 gola në 19 ndeshje në La Liga këtë stinor, duke dëshmuar se ndonëse 32-vjeçar ai vazhdon të jetë në nivel të lartë.

Ish-kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol së fundi tha se Messi mund të luajë deri në moshën 38-vjeçare. Messi ka pranuar se është duke u ndjerë mirë.

“Unë ndjehem shumë mirë, më mirë se në vitet e kaluara dhe ndonëse momentalisht nuk po shënojë gola, në aspektin fizik ndjehem shumë mirë”, ka shtuar Messi.

I pyetur nëse do të luajë deri në moshën 40-vjeçare, Messi është përgjigjur: “Do të shohim”.

Të ngjashme