Messi nuk paraqitet në klub, Barça ia çon në shtëpi mjekët për testin e PCR-së

Prishtinë | 06 Sht 2020 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi e ka bërë në shtëpi testin e PCR-së për Covid-19, pasi nuk kishte shkuar për ta kryer atë në qendrën stërvitore të Barcelonës të shtunën, dhe nëse rezultati i kthehet negativ, atëherë ai pritet t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.

Barcelona e dërgoi një ekip mjekësor në shtëpinë e 33-vjeçarit në Castelldefels dhe rezultati i testit të tij do të bëhet i ditur të hënën.

Varësisht prej rezultatit nga testi për koronavirus, Messi do të rikthehet në stërvitje me skuadrën, një javë më vonesë.

Messi njoftoi më 25 gusht se do të largohej nga Barcelona, por pas 11 ditëve ngërçi dhe tensioni me klubin, ai e pranoi se e ka të pamundur të largohet dhe të premten njoftoi se do të qëndrojë të paktën edhe këtë sezon.

Trajneri i ri Barcelonës, Ronald Koeman, i nisi përgatitjet për sezonin e ri javën e kaluar dhe shpreson ta ketë edhe kapitenin Messi nga e hëna.

Gjiganti katalonas do ta zhvillojë ndeshjen e parë përgatitore kundër Nastic të shtunën që vjen, por mundësitë që Messi të luajë janë të pakta shkaku i gjendjes së tij fizike.

Messi e ka siguruar klubin dhe tifozët se pavarësisht dëshirës për t’u larguar, ai do të mbetet profesionist sic ka qenë gjithmonë.

Të ngjashme