Messi preferon të mos mendojë shumë për rrezikun nga Coronavirusi

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Superylli Lionel Messi beson se ai është më mirë duke mos menduar shumë për rrezikun e infektimit me koronavirus, ndërkohë që klubet spanjolle po bëhen gati të kthehen në aksion. Futbollisti i Barcelonës ka thënë se po shikon para që të rifillojë me ndeshje.

Messi dhe bashkëlojtarët e tij te Barcelona janë kthyer në qendrën stërvitore javën e kaluar, ndërsa kanë mbajtur seanca individuale prej atëherë. La Liga ka paraparë katër faza për kthim në ndeshje pas ndërprerjes për shkak të pandemisë COVID – 19.

Të gjitha ndeshjet e njëmbëdhjetë raundeve të La Ligas do të luhen pa shikues në stadiume. Presidenti i La Ligas, Javier Tebas ka thënë se ndeshjet mund të nisin prej 12 qershorit.

Disa lojtarë dhe klube kanë folur kundër kthimit të futbollit për shkak të frikës nga infektimi apo bartja e tij te të tjerët. Por Messi ka thënë se kthimi i ndeshjeve nuk është më i rrezikshëm se largimi nga shtëpia për çdo arsye tjetër.

“Ekziston në çdo vend rreziku i infektimit. Kur largoheni nga shtëpia ka rrezik. Kështu që unë mendoj se nuk duhet të mendojmë tepër për këtë, pasi nëse e bëni këtë ju nuk do të dëshironi të shkoni askund”, ka thënë Messi për Mundo Deportivo të premten.

“Por ne duhet të kuptojmë që është esenciale që t’iu përmbahemi protokolleve dhe të ndjekim masat mbrojtëse sa më shumë që mundemi. Kthimi në stërvitje është hapi i parë por ne nuk duhet të ankohemi. Po ashtu duhet të marrim të gjitha masat e nevojshme”.

Messi ka thënë se është i entuziazmuar për kthimin në ndeshje, por ka kundërshtuar propozimin e La Ligas që skuadrat të izolohen së bashku, larg familjeve të tyre, pasi ndeshjet të vazhdojnë.

“Personalisht po shikoj para për kthim të garave. E dimë që për të gjithë do të jetë e çuditshme, pa asnjë njeri në tribuna. E kam provuar më parë dhe e di që nuk është mirë. Sa i takon karantinës, e vërteta është se nuk na pëlqen ideja për t’u ndarë nga familjet tona. Duhet të shohim cili është plani përfundimtar”, ka theksuar kapiteni i Barcelonës.

Të ngjashme