Messi regjistroi edhe dy rekorde tjera, pas fitores së Argjentinës kundër Australisë

Prishtinë | 04 Dhj 2022 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi ka regjistruar edhe dy rekorde të reja, pas fitores së Argjentinës kundër Australisë të shtunën mbrëma.

Të përzgjedhurit e Lionel Scalonit fituan me rezultatin 2:1, duke siguruar kështu kalimin për në çerekfinale të Kupës së Botës.

Messi, i cili u shpall lojtari i ndeshjes, ka shkuar në shifrën e 94 golave me Argjentinën, pasi shënoi edhe mbrëmë.

Për 35-vjeçarin ishte ky goli i nëntë vetëm në Kupën e Botës. Kësisoj, ai u bë golashënuesi i dytë më i mirë i Argjentinës në këtë turne.

Messi kaloi Diego Armando Maradonan, i cili kishte shënuar tetë sosh.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” tani është vetëm një gol larg rekordit të Gabriel Batistutas, i cili kishte shënuar 10 gola nga 12 paraqitjet e tija në Kupën e Botës.

Messi e ka kaluar gjithashtu Maradonan, duke u bërë edhe lojtari me më shumë paraqitje të Argjentinës në Kupën e Botës.

Ndeshja kundër Australisë ishte e 22-ta për sulmuesin e Paris Saint-Germainit në këtë garë.

Kujtojmë se Lionel Messi mund të regjistrojë edhe rekorde të reja, pasi Argjentina është ende në garë.

Kombëtarja amerikano-jugore në çerekfinale do të takohet me Holandën.

Të ngjashme