Messi shumë kritik ndaj skuadrës pas dështimit për të fituar La Ligan

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi ka përjetuar rëndë dështimin e Barcelonës për të vazhduar dominimin në La Liga. Real Madridi fitoi titullin të enjten mbrëma, ndërsa Barcelona do të përfundojë e dyta.

Ylli argjentinas është kritik ndaj paraqitjeve të skuadrës, ndërsa vlerëson se nëse vazhdohet kështu, Barcelona do të pësoje edhe nga Napoli në Champions.

Barça të enjten pësoi humbjen e gjashtë të edicionit në La Liga. Messi shënoi gol të bukur, por më pas Jose Arnaiz dhe Roberto Torres realizuan për fitoren e Osasunas.

Në intervistën për Movistar +, Messi ka shprehur besimin se Barcelona e ka bërë shumë të lehtë për rivalin e madh, Real Madridin.

“Ne nuk kemi dashur të përfundojmë edicionin në këtë mënyrë, por kjo përfaqëson atë se si ka ecur edicioni’, ka thënë Messi fillimisht.

“Ne kemi qenë shumë të çrregullt, shumë të thyeshëm, ekip me intensitet të ultë. Ne kemi humbur shumë pikë dhe ndeshja e sotme është përmbledhje e edicionit. Ne duhet të jemi vetëkritik. Duke filluar nga lojtarët por duke bërë vetëkritikë të përgjithshme. Ne jemi Barcelona dhe ne duhet të fitojmë çdo gjë. Ne nuk mund të shikojmë te Madridi. Madridi ka bërë punën e vet, por ne e kemi ndihmuar shumë”, ka thënë Messi.

“Nëse duam të fitojmë Ligën e Kampionëve, ne duhet të ndryshojmë shumë. Nëse vazhdojmë kështu ne do të humbim ndeshjen ndaj Napolit”.

Ylli i futbollit thotë se ndryshimi duhet të bëhet shpejtë, pasi ndeshja me Napolin është shumë afër. “Prej janarit ka qenë kohë e tmerrshme për të gjithë. Në Champions mund t’i kemi katër ndeshje që do të kthejnë edicionin në vendin e vet, nëse marrim rezultatet e duhura. Njerëzit në klub do të jenë të zemëruar për atë që ka ndodhur këtë edicion. Por edhe lojtarët ndihen ashtu, është logjike që njerëzit të jenë kritik”.

Të ngjashme