Meyer: Sjelljet e lojtarëve vendimtare në planet e vazhdimit të stinorit në Bundesligë

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Sjellja e çdo lojtari do të jetë vendimtare deri në fund të stinorit, ka paralajmëruar shefi mjekësor i Bundesligës gjermane dhe njeriu prapa tentimeve të UEFA-s për të rifilluar me futbollin nëpër kontinent.

Tim Meyer, kreu i task-forcës së krijuar nga Bundesliga për koronavirusin e ri dhe po ashtu kryetar i komitetit mjekësor të UEFA-s, ka thënë se derisa liga gjermane ka prodhuar sistemin më të sigurt të mundshëm për t’iu rikthyer garave, është vendimtare që lojtarët të tregojnë disiplinë dhe t’i përmbahen rregullave të reja.

Bundesliga do të bëhet liga e parë e madhe në Evropë që do t’i kthehet aksionit. Më 16 maj do të rifillojë stinori në Bundesligë pas një pezullimi gati dy mujor për shkak të koronavirusit. Koronavirusi ka ndal sportin në mbarë botën.

“Futbolli duhet t’i jap diçka njerëzve tash. Kjo edhe nënkupton të jesh i disiplinuar si lojtar. Të qëndrosh larg virusit. Lojtarët duhet të jenë të përgjegjshëm. Ata duhet të japin shembull me sjelljet. Të luajnë ndeshje si gjithmonë, por pasi të largohen nga fusha, ata janë qytetar sërish dhe duhet të sillen si qytetarët në kohën e koronavirusit”, ka thënë Meyer në një intervistë për agjencinë Reuters.

Meyer ka thënë se puna e tij është të krijoj nivelin më të lartë të mundshëm të sigurisë, bazuar në atë që është e mundur në aspektin mjekësor.

“Ne nuk mendojmë se ndonjë punë, apo profesion në vend është qind për qind i sigurt momentalisht, përderisa të kesh bashkëveprim me njerëz tjerë. Nganjëherë ka njerëz që thonë, ‘ka ende pak rrezik’. Po ka. Nuk do të jemi në gjendje të eliminojmë rrezikun e vogël. Ne kemi bërë shumë, kemi vendosur shumë masa, për të siguruar që infeksionet nga futbolli të jenë shumë të pamundura”, ka shtuar Meyer.

Bundesliga ka përgatitur një protokoll strikt mjekësor dhe të sigurisë për rifillimin e garave, ku përfshihen tri zona të ndara në stadiume për të limituar kontaktin njerëzor dhe reduktuar gjasat për bartje të virusit. Po ashtu lojtarët dhe stafet do të testohen vazhdimisht.

Po ashtu ka pasoja edhe për ata që jetojnë me lojtarët.

Bashkëshortet apo partneret e gjithë lojtarëve të Bundesligës duhet të zgjedhin nga tri opsione – t’i nënshtrohen dy testeve, të pajtohen të dokumentojnë çdo kontakt jashtë shtëpisë apo të jetojnë ndaras derisa të përfundojë stinori.

Mirëpo, vendimi se si të reagohet pas çdo testi pozitiv në mesin e lojtarëve – dhe cilët në skuadër duhet të futen në karantinë nëse ndodh kjo – mbetet te autoritetet lokale shëndetësore në Gjermani.

Kjo u demonstrua të shtunën kur klubi i Bundesliga 2 të Gjermanisë, Dynamo Dresen, u udhëzua nga autoritetet lokale shëndetësore që të fusë në karantinë gjithë skuadrën për 14 ditë, pasi që dy lojtarë testuan pozitiv me koronavirus.

Ky vendim nënkupton se Dynamo nuk do të jetë në gjendje të luajë ndeshjen e parë më 17 maj.

“Ne nuk mund të ndërrojmë ligjin në Gjermani dhe ligji gjerman thotë se në rast të testimit pozitiv është përgjegjësi e autoriteteve lokale shëndetësore për menaxhimin e rastit. Zakonisht, dhe kështu do të jetë edhe rasti me futboll, personi i prekur do të futet në karantinë dhe më pas autoritetet shëndetësore do të gjurmojnë personat e kontaktit. Për fat të mirë në futboll profesionist ne kemi xhirime të seancave stërvitore dhe po ashtu të çdo ndeshje”, ka shtuar ai, duke thënë se mund të ofrohen informata të shpejta dhe të detajuara.

Meyer ka qenë në kontakt të rregullt me stafin mjekësor të Premier Leagues dhe Federatës së Futbollit të Anglisë. Ai ka thënë se situatat në dy vendet janë shumë ndryshe, duke marrë parasysh ndikimin më të ulët të pandemisë në Gjermani dhe veçanërisht kapacitetin më të madh testues që ka Gjermania.

Planet për rifillimin e stinorit në Premier League janë të ngjashme me ato të Bundesligës, mirëpo Meyer thotë se do të jetë e vështirë të ofrohet një sistem më strikt.

“Nuk mund të jesh më strikt. Mund të fusësh të gjithë në karantinë, që është skenari që po debatojnë disa shtete. Por, duhet të jeni të vetëdijshëm se po izoloni totalisht disa burra të rinj për disa javë dhe kjo nuk është e lehtë. Nuk e dimë nëse funksionon kjo apo çfarë pasoja do të kishte jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe psikologjik. Është e vështirë të jesh më strikt”, ka thënë Meyer.

Të ngjashme