Mihajlovic pozitiv me Coronavirus, është në grupin e të rrezikuarve

Prishtinë | 23 Gus 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Bologna ka konfirmuar se trajneri i vet, Sinisa Mihajlovic, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Kjo është një situatë serioze, sepse trajneri serb bën pjesë në grupin e personave më të rrezikuar nga ky virus.

Mihajlovic u diagnostikua me leukemi në korrik të vitit 2019 dhe iu nënshtrua kimioterapisë dhe e bëri transplantin e palcës kockore.

Ai u riaftësua plotësisht nga kjo sëmundje, por prapëseprapë ndodhet në grupin e më të rrezikuarve për shkak të sëmundjes serioze që e kishte më parë.

Në një komunikatë për media, klubi nga Serie A konfirmon se serbi nuk ka simptoma dhe se është vendosur në karantinë për dy javë.

Mihajlovic mungoi gjatë përgatitjeve parasezonale vitin e kaluar, për shkak se i kaloi tre muaj në një klinikë speciale për t’u trajtuar nga leukemia.

Askush nuk e di më mirë se Mihajlovic rëndësinë e sigurisë, larjes së duarve dhe vendosjen e maskës gjatë pandemisë Covid-19, prandaj është për t’u çuditur dhe alarmuese sesi ai e ka marrë virusin. 

Të ngjashme