Milan, Napoli e Juventusi luajnë sonte për Champions

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Serie A sot do ta mbyllë sezonin 2020/21 me disa ndeshje mjaft interesante. Kampion është shpallur Interi, ndërsa dihen edhe tri ekipet që kanë rënë nga liga. Crotone, Parma dhe Benevento do të garojnë në Serie B nga edicioni i ardhshëm.

Bashkë me Interin, Atalanta e ka siguruar Champions Leaguen, kurse dy vendet e fundit që dërgojnë në garën prestigjioze do të diskutohen mes Milanit, Napolit dhe Juventusit.

Rosonerët gjenden në vendin e tretë me 76 pikë, aq sa ka edhe Napoli një pozicion më poshtë. Vendin e pestë e zë Juventusi me 75 pikë. Milanit dhe Napolit iu nevojitet fitorja për t’u kualifikuar, kurse Juventusit përveç fitores i nevojitet edhe gabimi i njërës nga dy ekipet sonte.

Milani e ka sfidën më të vështirë nga të gjithë, pasi i shkon Atalantas. Napoli e pret Veronan, kurse Juventusi do të udhëtojë në Bologna.

Të ngjashme