Miliarderi Commisso premton një Fiorentinë gjigante

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Manjati i mediave, italiano-amerikani Rocco Commisso, ka kompletuar blerjen e ekipit të Serie A, Fiorentina, kanë njoftuar mediumet italiane të premten. Zyrtarisht për blerjen e Fiorentinës, Commisso ka dhënë 170 milionë euro dhe i ka dhënë fund pronësisë 17-vjeçare të familjes italiane Della Valle.

Commisso 69-vjeçar është president i grupit “Mediacom” dhe pronar i ekipit amerikan të futbollit, New York Cosmos. Ai në vitet e fundit ishte përpjekur ta blinte Milanin, por nuk ka pati sukses.

“Gjithmonë kam qenë adhurues i futbollit italian dhe nuk kam fjalë të përshkruaj se sa shumë jam i lumtur që më është dhënë mundësia të kontribuoj për të shkruar kapitullin e ardhshëm në historinë e një klubi legjendar si Fiorentina”, ka deklaruar Commisso, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

I lindur në Kalabri, Commisso ka emigruar në SHBA në vitin 1962 së bashku me të ëmën dhe motrat, për t’u bashkuar me babanë dhe vëllanë që ishin zhvendosur atje gjashtë vjet më herët.

“Ka tre vjet që kam qenë në kontakte për ta blerë klubin, në të cilin do të bëj investime të mëdha. Fiorentina do të ketë një fytyrë tjetër prej edicionit të ardhshëm, pasi e di se çfarë vlerë ka klubi për qytetin dhe tifozët e saj”, ka shtuar Commisso.

Fiorentina ishte blerë nga familja Della Valle në vitin 2002 pas bankrotimit dhe rënies nga Serie A. Ekipi nga Firence ka fituar dy tituj kampioni të Italisë, por të fituar shumë vite më parë, më 1956 dhe 1969. Trofeun e fundit Fiorentina e ka fituar në vitin 2001, kur triumfoi në Kupën e Italisë. Ka gjithsej gjashtë kupa të fituara.

“Së shpejti do të flas me trajnerin Vincenzo Montella, në mënyrë që të fillojmë përforcimin e ekipit për edicionin e ri. Mund të them se kemi fonde të mjaftueshme për të krijuar një ekip konkurrues”, ka thënë pronari i ri.

Fiorentina është ekipi i fundit në Serie A që është futur në pronësi të huaj. Para Fiorentinës, nën pronësi të huaj janë futur edhe Roma, Milani, Interi e Bologna.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme