Ministria e Kulturës siguron parcelën, UEFA dhe FIFA financojnë ndërtimin e tri fushave në Obiliq

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 14:51 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se ky memorandum shërben për ndarjen e parcelës nga ana e ministrisë dhe Komunës së Obiliqit për ndërtimin e 3 fushave në Obiliq për Federatën e Futbollit, raporton Ekonomia Online.

“Sot nënshkruam memorandumin me Federatën e Futbollit të Kosovës, me qëllim që federata me Ministrinë e Sportit do të investojë në tre fusha ndihmëse në Obiliq. Mjetet financiare janë nga buxheti i UEFA-s dhe procesin e investimeve të projektit dhe pjesën  e investimeve do ta kryejë FFK, pasi që Ministria ka siguruar parcelën, duke kërkuar nga Komuna e Obiliqit, në bazë të marrëveshjes për shfrytëzim të afro 10 hektarë tokë, për ndërtimin e këtyre fushave”.

“Është njëri ndër projektet më të rëndësishme në infrastrukturën sportive që do të ndërtohet në vitin 2018-19, në kuadër të saj, të gjitha investimet që do të pasojnë, do të jenë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatën e Futbollit të Kosovës”.

“Është model i ri i bashkëpunimit, viti 2018 dhe 20 do të jenë vit ku do të kemi fokus të veçantë infrastrukturën sportive pasi që edhe anëtarësimi në UEFA kërkon investime të reja në sport”, theksoi Gashi.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se ky memorandum ka lehtësuar mjaft shumë punën e federatës, e cila i është nevojitur, në mënyrë që ta ketë kompleksin stërvitor, ashtu si çdo federatë tjerët kudo në botë.

“Është dëshmi që ministri dhe Qeveria kanë bërë shumë për të zhvilluar sportin dhe futbollin, respektivisht në këtë rast ky projekt është njëri që kemi radhazi, që kemi filluar me projektin e 12-të stadiume për 12 ekipe, e kemi bërë me stadiumin “Fadil Vokrri”, të cilin falë ministrit dhe ministrisë ka përfunduar dhe do të pranohet në kategorinë 4 për ndeshjet e ekipit nacional dhe ekipeve tona të ligës kombëtare”, tha Ademi.

“Kjo ngjarje është e madhe për Federatën e Futbollit për këtë nënshkrim të memorandumit, për ta bërë kompleksin nacional të stërvitjes siç e kanë të gjitha federatat e botës, normalisht është financim i UEFA-s dhe FIFA-s, por edhe i ministrisë, bashkërisht, sepse kjo e ka siguruar bazën, tokën që është dhënë nga Komuna e Obiliqit”, tha Ademi.

Ademi tregoi se shuma e ndarë për ketë investim është 3 milion euro, por kjo shifër ka mundësi të shkojë edhe më lartë, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme