Mjeshtri i gjuajtjeve të lira nënshkruan për skuadër të ligës së pestë

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Vite më parë Alban Meha kishte bërë emër në Gjermani me golat e bukur që shënonte nga goditjet e dënimit. Në Bundesligë kishte shënuar tre gola në 18 paraqitje. Në Bundesliga 2 në 84 paraqitje kishte kontribuar me 23 gola e 18 asistime. Ishte Paderborni, skuadra ku Meha fitoi famën dhe u paraqit në nivelin më të lartë.

Meha tani 32-vjeçar synon të vazhdojë me gola nga goditjet e dënimit dhe me paraqitje vendimtare. Por në nivel dukshëm më të ulët. Ai këtë javë ka firmosur me skuadrën Hessen Kassel, që aktualisht bën gara në kategorinë e pestë gjermane. Hesseni luan në “Hessenliga”, njërën prej shumë ligave të kategorisë së pestë gjermane. Synon ngritjen në kategorinë e katërt, por nuk e pret punë e lehtë, ndonëse është në vend të tretë aktualisht, shkruan sot Koha Ditore.

Me Hessenin, Meha ka firmosur për tre vjet, ndërsa kontrata hyn në fuqi për edicionin 2019\2020. Mesfushori aktualisht është pjesë e skuadrës Elversberg, që garon në kategorinë e katërt gjermane. Ka dy gola e një asistim në 13 paraqitje. Së fundi ka luajtur më 3 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ishte grumbulluar për një ndeshje edhe më 23 nëntor. Prej atëherë nuk është grumbulluar fare. Në klub thonë se nuk po luan për shkak të konkurrencës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme