Mobilizohet KB Peja, mban Berishën e Hajrizin

Prishtinë | 30 Sht 2020 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi do të mbesin te KB Peja edhe për sezonin 2020/21, që do të nisë në fund të muajit të ardhshëm. Konfirmimin për qëndrimin e Berishës dhe të Hajrizit, që ishin pjesë e Pejës edhe sezonin e shkuar, e ka bërë Fatmir Gashi, që pritet të marrë postin e kryetarit të klubit pas kuvendit zgjedhor që do të mbahet gjatë kësaj jave.

KB Peja aktualisht është pa kryetar, pasi javë më parë Art Gashi dha dorëheqje nga ky post për të liruar vendin për të tjerë që janë të gatshëm ta udhëheqin klubin. Babai i Artit, Fatmir Gashi, edhe më parë ka qenë kryetar i klubit pejan dhe të martën për KOHËN ka thënë se po punohet edhe për rikthimin e trajnerit Adis Beçiragiq, me të cilin Peja e fitoi Kupën e Kosovës në edicionin e shkuar.

Fatmir Gashi shtoi se po punohet edhe për të hequr bllokadën e FIBA-s, e cila ia pamundëson klubit transferimet për edicionin e ri. FIBA gjatë muajit gusht i vendosi bllokadë skuadrës së Pejës për shkak të mospagesës së kësteve të borxhit total që është grumbulluar disa vjet.

Te Peja po shpresojnë edhe në ndihmën e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që më parë ishte shqetësuar për këtë bllokadë nga FIBA dhe kishte shprehur gatishmërinë për të ofruar gjithë ndihmën juridike. Në fakt, Gashi tha se po punohet fuqishëm në konsolidimin e ekipit, i cili beson se do të jetë i gatshëm për sezonin e ri. Ai shtoi se në momentin që Peja do të marrë edhe dritën jeshile nga FIBA, do të angazhohet për transferimin e lojtarëve të huaj, të cilët do t’i transferojë në koordinim me trajnerin Beçiragiq, që është pranë arritjes së marrëveshjes

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme