Modric e tregon recetën se si mund të eliminohet Man City

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Luka Modric ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes ndërmjet Real Madridit me Manchester Cityn.

Në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve fituan “Citizens” me rezultat 4:3 javën e kaluar.

Tash, misioni i kampionit të freskët spanjoll është ta përmbysë rezultatin në “Santiago Bernabeu” dhe ta prek finalen e madhe.

“Mezi presim të zbresim në fushë. E dimë se çka duhet të bëjmë, do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Duhet ta bëjmë një lojë të madhe për t’u munduar që ta arrijmë finalen. Kemi besim të madh, e dimë se nuk e kemi bërë një lojë të madhe në Manchester, por kemi arritur megjithatë t’i shënojmë tre gola. Kjo skuadër ka kualitet dhe karakter, jemi një klub që kemi fituar më së shumti Champions League, ky është një faktor që çon peshë shumë”, deklaroi mesfushori kroat në konferencë për shtyp, përcjell “Gazeta Express”.

Çfarë mesazhi dëshiron t’ju japë fituesi i Topit të Artë tifozëve madrilenë?

“Duhet të hyjmë në fushë me besim, me energji dhe agresivitet dhe për ta demonstruar se jemi skuadra më e mirë në botë. Duhet të japim gjithçka në fushë, edhe tifozët do të jenë të rëndësishëm për ne”, vazhdoi Modric, i cili foli edhe për kundërshtarin e nesërm.

“Nuk mund të them se Manchester City është kundërshtari më i vështirë me të cilin jemi përballur sivjet. E them këtë sepse jemi ballafaquar me skuadra të mëdha këtë edicion”, thotë tutje ish-futbollisti i Tottenhamit.

Ai ndihet i kënaqur me sezonin që e ka bërë deri tash në aspektin personal, por pret ende shumë sfida këtë edicion.

Në fund, Modric foli edhe për trajnerin Carlo Ancelotti, të cilin e konsideron si njërin prej më të mirëve në histori të këtij sporti dhe ndihet i lumtur që punon me të.

Të ngjashme