Moldavët janë grumbulluar para Kosovës, por kanë tetë humbje rresht dhe pak lojtarë në nivel të lartë

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Në mes të gushtit Moldavia ka mbajtur një kamp. Më 18 gusht, përzgjedhësi Engin Firat ka shpallur listën për Kosovën. Grumbullimi i moldavëve për ndeshjen që luhet më 3 shtator në Parma të Italisë ka nisur shumë më parë. Kosova grumbullohet vetëm të hënën (sot).

Në fakt grumbullimi i mëhershëm mund të jetë përparësia e vetme e Moldavisë në krahasim me Kosovën. Të gjitha elementet e tjera e bëjnë Kosovën favorite përballë moldavëve.

Ndeshja Moldavi – Kosovë luhet në Parma të Italisë, pa praninë e shikuesve. Pasi Moldavia nuk e njeh Kosovën, ka vendosur që ndeshjen ta organizojë në Parma. Moldavët e kanë arsyetuar vendimin me faktin se nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Por zhvillimi i një ndeshjeje si mysafir në terren neutral vlerësohet përparësi për Kosovën. Ka edhe shumë gjëra të tjera që trimërojnë tifozët e Kosovës. Ndër të tjera edhe rezultatet e fundit.

Në eliminatoret për “Euro 2020” Kosova ishte e treta në grup, prapa Anglisë dhe Çekisë. Kosova la prapa Bullgarinë e Malin e Zi. Ndërkohë Moldavia ishte e fundit në grupin e saj, prapa Francës, Turqisë, Islandës, Shqipërisë e Andorrës.

Lojtarët e Kosovës paraqiten në nivel më të lartë se ata të Moldavisë, që njëjtë si Kosova është në pritje të kualifikimit të parë në ndonjë ngjarje të madhe futbolli. Vetëm Artur Ionita luan në top-pesë ligat evropiane. Në edicionin e ri ai do të jetë pjesë e Beneventos, që kthehet në Serie A. Kosova ka shumë më tepër lojtarë në topligat evropiane: Amir Rrahmanin, Arbër Zenelin, Valon Berishën, Mërgim Vojvodën, Arijanet Muriqin, Samir Ujkanin.

Moldavia luan si e pavarur prej vitit 1991. Në kualifikimet për Botëror ka pesë fitore, 12 barazime e plot 41 humbje. Ndërkohë në kualifikimet për Evropian ka 12 fitore, nëntë barazime e 47 humbje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme