Moldavia nuk lejon përfaqësuesen e Kosovës të merr pjesë në Fed Cup

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 10:44 | Nga

Përfaqësuesja e Kosovës në tenis për femra nuk do të marr pjesë në Fed Cup të këtij viti që mbahet në Moldavi në ditët në vijim. Pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës e ndaloi shteti i Moldavisë si organizator i Fed Cup të Grupit III të zonës së Evropës dhe Afrikës.

Në arsyetimin e dhënë nga Federata e Tenisit të Moldavisë thuhet se përkundër përpjekjeve të mëdha të tyre si federatë nuk kanë arritur të i bindin zyrtarët qeveritarë moldavë të i japin viza hyrëse ekipit të Kosovës me arsyetim se shteti i Moldavisë nuk e ka pranuar Kosovën si shtet!

Me këtë është bërë shkelje flagrante e rregullores së organizimit të garave nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF).  ITF si mbikëqyrës i ngjarjes më të madhe ekipore të shteteve siç është Fed Cup, me rastin e nënshkrimit të memorandumit me shtetin organizator që në këtë rast është Moldavia kërkon që të i lejohet pjesëmarrja të gjitha shteteve pa asnjë kushtëzim.

Moldavia nuk iu përmbajt kësaj rregulloreje duke i bërë padrejtësi të madhe përfaqësueses së Kosovës në tenis për femra.

Përfaqësuesja e Kosovës ishte e përbërë nga teniste shumë të mira kosovare që karrierën e tyre në tenis e zhvillojnë në shtetet evropiane. Donika Bashota, Adrijana Lekaj dhe Lirigzona Murati së bashku me tenisten më të mirë nga Kosova, Blearta Ukëhaxhaj, nën udhëheqjen e trajnerit Arben Islami kishin dëshirë të madhe për të përfaqësuar Kosovën në Fed Cup. Kjo ëndërr e tyre fatkeqësisht nuk iu realizua për shkak të veprimeve diskriminuese dhe ofenduese të një shteti si Moldavia.

Kosova vitin e kaluar ka marrë pjesë për herë të pare në Fed Cup që u mbajt në Ulqin ku pati treguar rezultat shumë të mirë duke triumfuar në 2 takime kundër Islandës dhe Mozambikut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme