Monaco ka vënë paratë para trofeve

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 13:34 | Nga

Sukseset sportive, siç janë trofetë, nuk po preferohen shumë te skuadra nga Ligue 1, Monaco në vitet e fundit.

Në edicionin 2016/17 Monaco fitoi titullin e kampionit të Francës, sukses që erdhi kryekëput falë lojtarëve si Kylian Mbappe, Thomas Lemar, Fabinho e të tjerë, shkruan Marca, transmeton “Koha Ditore”.

Por kohët e fundit, falë dominimit sportiv dhe ekonomik të Paris Saint-Germanit, te Monaco ishin të detyruar të ndryshonin filozofinë në tregun e futbollit.

Humbja e thellë 4:0 vikendin e shkuar nga PSG-ja, në Kinë, në kuadër të Superkupës së Francës, ishte sinjal i qartë për dominimin e PSG-së edhe për një periudhë të gjatë.

“Përfundimisht kemi vendosur pas triumfit të fundit për titullin e kampionit që të ndërrojmë strategji. Më shumë jemi të fokusuar në përfitime nga shitja e futbollistëve sesa sukseset në Ligue 1, duke pasur parasysh se PSG-ja nuk mund të arrihet në asnjë aspekt”, ka deklaruar kreu i Monacos, Dmitry Rybovlev.

Bazuar në fjalët e tij, del se Monaco nuk do të bëjë më transferime të bujshme sikurse para disa vjetëve kur u përforcua me Radamel Falcaos. Sipas kryetarit Rybovlev, transferimet e tilla tashmë i takojnë së shkuarës.

“Aleksandr Golovin mbetet investimi më i madh që e kemi bërë në dy vjetët e fundit. Dhe, nuk besoj se shifrën prej 30 milionë eurosh që e paguam për të do ta tejkalojmë edhe për një kohë shumë të gjatë”, ka shtuar Rybovlev.

Monaco është e interesuar të gjenerojë të hyra nga shitja e futbollistëve, të cilëve u cakton klauzola lirimi të majme. Shitja e Rachid Ghezzalit ditë më parë te Leicester City ka bërë që Monaco të arrijë në 550 milionë euro fitim nga transferimi i lojtarëve nëpër ekipet e tjera në dy edicionet e fundit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme