Mourinho beson se Man United nuk është në garë për top katërshe të Anglisë

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka lënë Manchester Unitedin jashtë listës së tij të kandidatëve për top katërshe të Anglisë, ku megjithatë i ka përfshirë Sheffield Unitedin dhe Wolverhampton Wanderers.

Chelsea për momentin radhitet në pozitën e katërt në tabelë, me dy pikë më shumë sesa Sheffieldi me një ndeshje më pak të zhvilluar. Tottenhami është katër pikë larg një vendi kualifikues për Ligën e Kampionëve, pasi që është rikuperuar nga starti i dobët që nga emërimi i Jose Mourinhos në vend të Mauricio Pochettinos, në nëntor, transmeton Gazeta Express.

Evertoni është edhe një pikë më larg në pozitën e shtatë, ndërsa Manchester Unitedi dhe Wolves mbeten me gjashtë pikë më pak sesa Chelsea, pas barazimit 0:0 mes tyre në Old Trafford, në ndeshjen e fundit para pushimit dimëror.

Arsenali duket se ka më shumë gjasa të mbetet jashtë top katërshes, pasi që radhitet në pozitën e dhjetë pas 25 xhirove, mirëpo Mourinho nuk beson se Topçinjtë s’janë ende përfundimisht jashtë garës për një vend në top katërshe.

“Wolves dhe Sheffieldi janë duke luftuar për top katërshe, trajnerët e tyre s’mund të thonë jo. I kuptoj nëse thonë jo, por realiteti është se ata janë në garë. Jo vetëm për shkak të radhitjes së tyre në tabelë, por për shkak të cilësisë dhe fuqisë së tyre”, ka thënë Mourinho.

“Ata kanë arritur në një situatë ku janë duke u shikuar nga të gjithë. Duhet të jenë më shumë sesa të lumtur, por s’janë kështu. Wolves e transferoi një lojtar të rëndësishëm (Daniel Podence për 17 milionë funte) për ta përforcuar skuadrën”.

“Sheffieldi e solli gjithashtu një lojtar të rëndësishëm (Sander Berge për 22 milionë funte), ata e thyen rekordin e vet për transferimin më të shtrenjtë në histori të klubit në tentim për ta përmirësuar skuadrën”.

“Kështu që, nuk është vetëm Tottenhami, Arsenali, Chelsea dhe Evertoni. S’jemi vetëm ne. Janë edhe ato dy klube dhe unë dua të them se ata janë fantastikë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme