Mundësi për Muriqin që ta tregojë veten kundër Juventusit

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi mund ta ketë një mundësi të përkryer për ta treguar veten në sytë e Maurizio Sarrit para se të jetë tepër vonë, kur Lazio të përballet me Juventusin pas ndeshjeve të kombëtareve.

Sulmuesi kryesor i Lazios, Ciro Immobile, e lëndoi pulpën të martën gjatë stërvitjeve me Kombëtaren e Italisë dhe do pritet të mungojë rreth një muaj.

Immobile u kthye në Romë dje dhe iu nënshtrua testeve, ku mësoi se shkalla e lëndimit është serioze. Si pasojë, sipas mediave italiane, 31-vjeçarit do t’i nevojiten 20 deri në 30 ditë për ta shëruar lëndimin.

Mungesa e tij do t’i japë mundësi sulmuesit të Kosovës Muriqi të luajë titullar si rrallë herë për skuadrën e Sarrit.

Muriqi është përdorur shumë pak nga Sarri këtë sezon, duke i bërë nëntë paraqitje në Serie A si zëvendësues i vonshëm.

Ai i ka zhvilluar vetëm 120 minuta futboll për Lazion në ligë deri tani këtë sezon, dhe ka qenë titullar vetëm një herë, kur Immobile kishte munguar shkaku i lëndimin në disfatën 3:0 kundër Bolognës në fillim të tetorit.

27-vjeçari, i cili luajti 90 minuta në humbjen e Kosovës 2:0 kundër Jordanisë në një ndeshje miqësore të mërkurën, do të shpresojë se Sarri do t’ia besojë vendin e titullarit në mungesë të sulmuesit kryesor.

Menjëherë pas ndeshjeve të kombëtareve, Lazio do të përballet me Juventusin më 20 nëntor në Romë, para se të udhëtojë drejt Rusisë për t’u ndeshur me Lokomotiv Moscow në Ligën e Evropës.

Immobile do të mungojë në këto dy ndeshje dhe Muriqi nuk mund të ketë mundësi më të mirë për t’i treguar vlerat e veta përfundimisht.

Sarri e përdori Muriqin titullar në dy ndeshjet e para të Lazios në Ligën e Evropës, por loja e kosovarit la shumë për të dëshiruar, pasi ai u zëvendësua në fund të pjesës së parë në të dy ndeshjet.  

Sulmuesi prizrenas nuk mund të jetë i kënaqur me ndeshjet e pakta në fanellën e lazianëve dhe ka thashetheme se i po bën trysni për t’u kthyer në Fenerbahce në janar.

Muriqi e ka shënuar vetëm një gol në 34 paraqitje në Serie A që prej se iu bashkua Lazios nga klubi turk verën e vitit 2020.

Të ngjashme