Mundësja japoneze synon lavdinë me titullin e pestë olimpik

Prishtinë | 15 Sht 2019 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Mundësja japoneze, Kaori Icho (35), është femra e vetme që ka fituar rresht katër medalje të arta olimpike në konkurrencë individuale në të njëjtën disiplinë.

Një superyll në Japoni, ajo mbetet e pamposhtur në Lojërat Olimpike qëkur stili i lirë në mundje në konkurrencë të femrave është përfshirë në program olimpik në “Athina 2004”, shkruan Olympic.org.

Icho planifikon të vazhdojë serinë dhe do të bëjë çdo gjë të mundur të fitojë të artën e pestë rresht në vendlindjen e saj në Japoni vitin e ardhshëm, kur Lojërat Olimpike do të mbahen në Tokio, përcjell sot Koha Ditore.

“Unë do të isha personi i vetëm që kam arritur të bëhem kampione olimpike në mundje pesë herë rresht. Dua të kujtoj gëzimin e fitimit të një medaljeje olimpike!” ka thënë Icho në korrik të këtij viti, 14 vjet pasi që fitoi medaljen e parë të artë olimpike në “Athina 2004”.

Ajo nuk ka humbur një përballje në Lojëra Olimpike që nga atëherë.

“Çfarëdo që të ndodhë, unë thjeshtë dua të jap maksimumin deri në fund”, ka thënë mundësja japoneze.

Pasi mposhti amerikanen Sara McMann me 3:2 në finale të kategorisë deri 63 kilogramë, më 24 gusht të vitit 2004 në Athinë, Icho u bë një nga katër kampionet e para olimpike në mundje stil të lirë, duke iu bashkuar Iryna Merlenit të Ukrainës (48 kilogramë), e cila në finale ia mposhti motrën Ichos, Chihaurun.

Kampione të tjera ishin japonezja Saori Yoshida (55 kilogramë) dhe kinezja Wang Xu (72 kilogramë)

Të ngjashme