Muric dhe Rrahmani në dyshim për nesër, Giresse flet para përballjes me Qipron

Prishtinë | 26 Sht 2022 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës do të përballet nesër me Qipron, në ndeshjen e fundit në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Ndeshja e nesërme ka rëndësi të madhe për të dy ekipet kombëtare, shkruan Gazeta Express.

Kosova synon fitoren për të ruajtur pozitën e dytë në grup, në të cilën momentalisht renditet me 6 pikë – vetëm një më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro.

“Dardanëve” i mjafton edhe barazimi për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm, por nuk duhet që asgjë t’i lihet rastit.

Në konferencën për media të mbajtur sot, u paraqit përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse,

“Nesër qëllimi është ta mbajmë pozitën e dytë në tabelë”, tha fillimisht ai.

Tutje, Giresse foli për Arijanet Muricin dhe Amir Rrahmani, të cilët janë në dyshim për nesër.

“Muric ka lënduar kaviljën në Belfast. Nuk e dimë se cila do të jetë gjendja e tij. Amir Rrahmani ka progres, mirëpo do ta vlerësojmë sot dhe nesër se a do të ketë mundësi për të luajtur. Për lojtarët e tjerë nuk ka diçka specifike, përveç lodhjes pas ndeshjes”, shtoi përzgjedhësi i “Dardanëve”.

“Kur përgatiti një lojë, i mendoj vetëm gjërat pozitive. Po përgatitemi me lojtarët për rezultat pozitiv dhe gjërat tjera po i lëmë anash. Duke parë situatën, prioritet është ta fitojmë ndeshjen. Varësisht nga rrethanat në lojë, ndoshta edhe mund të provojmë lojtarë të rinj”, deklaroi Giresse.

Kur u pyet se a do të ketë ndryshime në formacion, 70-vjeçari tha: “I kemi dy pasiguri. Në ditën e lojës kundër Irlandës së Veriut deri në ora 12 nuk kemi qenë të sigurt se me çfarë formacioni do luajmë. Edhe tani është njëjtë”.

Ndeshja mes Kosovës dhe Qipros do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të ngjashme