Muriqi buzë kalimit në Tottenham, pasi Fenerbahçe e ul çmimin e tij shkaku i Coronavirusit

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi pritet t’i bashkohet Tottenham Hotspurit gjatë kësaj vere, pasi klubi i tij Fenerbahce është i hapur ta shesë sulmuesin e Kombëtares së Kosovës për një çmim më të ulët se ai që e kërkonte deri tani. Çmimi i sulmuesit prizrenas në tregun e transferimeve ka rënë dukshëm shkaku i pandemisë Coronavirus.

Gjiganti i Premierligës Tottenham do ta ketë mundësinë ta blejë sulmuesin e Kosovës dhe Fenerbahces Muriqin për vetëm 15 milion euro, raporton Gazeta Express.

Për 25-vjeçarin, i cili i ka shënuar 15 gola në 28 paraqitje për klubin nga Superliga e Turqisë këtë sezon, interesim ka shprehur edhe Manchester Unitedi, përveç Tottenhamit, në afatin kalimtar të janarit.

Muriqi iu bashkua Fenerbahces nga Rizespor gjatë verës së 2019-s për 3.5 milionë euro, por pas paraqitjeve mbresëlënëse për ekipin kombëtar të Kosovës dhe Fenerin në sezonin e tij të parë te gjiganti turk, vlera e tij në treg u rrit shumë.

Prandaj, Fenerbahces kërkonte të paktën 20 milionë euro për shërbimet e kosovarit, i cili ka kontratë me klubin deri në verën e vitit 2023.

Megjithatë, tani që futbolli është goditur nga një krizë financiare nga pandemia koronavirus, Fenerbahce nuk mund të pretendojë të përfitojë nga shitja e tij si para Covid-19.

Sipas mediave turke, Fenerbahce është e gatshme ta shesë Muriqin për 15 milionë euro.

Kosovari pëlqehet nga Jose Mourinho dhe duke e parë gatishmërinë e klubit të tij për ta shitur më lirë, Muriqi me gjasë do të kalojë te klubi londinez në Premierligë këtë verë.

Të ngjashme