Muriqi dëshiron të shndërrohet në idhull të Mallorcas

Prishtinë | 13 Gus 2022 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka plane të mëdha për të ardhmen e tij te skuadra e Mallorcas. Në një intervistë, ai ka pranuar se dëshiron që karrierën ta përfundojë te Mallorca dhe të futet në historinë e klubit si njëri prej lojtarëve më të mëdhenj. Muriqi është rikthyer te Mallorca këtë verë pas huazimit sezonin e shkuar, pasi klubi nga La Liga arriti ta blejë kartonin e tij nga Lazio. Sezonin e shkuar, 28-vjeçari për një periudhë të shkurtër impresionoi te Mallorca, duke shënuar katër gola dhe asistuar tri herë në 15 paraqitje në La Liga. Edhe sezonin e ri, Muriqi ka synime të shënojë gola dhe ta ndihmojë Mallorcan. Ndeshjen e xhiros së parë Mallorca e luan të hënën në udhëtim te Athletic Bilbao.

“Sigurisht, që dua të vazhdoj me formën e mirë. Ta ndihmoj ekipin dhe t’i gëzoj tifozët”, ka thënë Muriqi. “Shpresoj gjithçka të shkojë mirë dhe ta përfundoj karrierën time këtu dhe të futem në histori të klubit si një prej idhujve të Mallorcas”.

Sulmuesi aspak nuk fsheh gëzimin e tij që sërish është pjesë e Mallorcas, ekip me të cilin ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2027. Ai ka zbuluar se dëshira e tij ishte të kthehej te Mallorca dhe ka qenë i vendosur për të pritur deri në momentet e fundit. Sipas tij, klubi ka bërë të pamundurën për ta blerë nga Lazio për shkak të kërkesës së lartë të ekipit nga Serie A.

“Ishte një punë e madhe e të gjithëve te Mallorca që më kanë përkrahur dhe kanë insistuar për të më sjellë sërish në klub. Pra, të gjithë kemi punuar shumë për të ardhur në këtë moment, ku të gjithë jemi të lumtur”, ka thënë Muriqi, që ka pranuar se kishte edhe oferta të tjera, por dëshironte ta priste deri në fund Mallorcan. “Të them të drejtën, para se të vijë këtu, kur kam folur me krerët e Mallorcas, ishte e pamundur që klubi të paguante dëmshpërblimin për shkak të kërkesës së lartë të Lazios. Ishte pra shumë vështirë, kam pasur oferta të tjera, por unë doja ta prisja Mallorcan. Pra, kam dashur të pres deri në fund përpara se të zgjedh dikë tjetër”.

Ai po ashtu ka folur edhe për situatën e pazakontë që i ndodhi në Belgjikë, te Club Bugge. Muriqi ka thënë se para se të pranohej oferta e klubit belg, ai ka folur me Mallorcan. Megjithatë, thotë se shuma e ofruar nga Brugge ishte e papërballueshme për Mallorcan. Muriqi ka thënë se Brugge është treguar shumë klub joprofesional ndaj tij. Ai ka thënë se Brugge ka luajtur lojëra të fshehta në tentim për ta ulur çmimin.

“Gjithmonë kam qenë në kontakte me klubin e Mallorcas, por Brugge pagoi shumë. Kur shkuam atje, askush nuk na priti në aeroport dhe pastaj u bënë disa lojëra të pabesueshme. Kështu që, nuk doja të luaja më për ata. Pas largimit nga Brugge, Mallorca me kontaktoi sërish dhe më tha se ka besim që do ta kryejë transferimin dhe aspak nuk dyshon në mua”, shtoi Muriqi, i cili foli edhe për testet fizike te Brugge. “Ishte një lojë e fshehtë e tyre për ta ulur çmimin. Gjithçka ishte mirë kur shkuam atje, pastaj në fund të ditës thanë se nuk është diçka në rregull në testet. Fillova të shqetësohesha, por ata më thanë që nuk kam mundur ta kaloj testin fizik, por u thash se kjo nuk është e vërtetë. Për mua, Brugge është një klub joprofesional”.

Muriqi insiston se nuk është aspak i mërzitur për situatën te Brugge. Në fakt, ndihet i lumtur me atë që ka ndodhur, pasi i ka mundësuar të rikthehet te Mallorca.

“Nuk ndihesha keq, por i befasuar me faktin se sa joprofesionalë u treguan. Nuk jam i mërzitur, por jam shumë i lumtur që jam te Mallorca, shtëpinë time të dytë. Jam shumë I lumtur që jam këtu dhe më vjen mirë për atë që ndodhi te Brugge sepse jam në shtëpinë time”, tha Muriqi.

Të ngjashme