Muriqi i lumtur me fitoren, synon golin edhe kundër Galatasaray

Prishtinë | 22 Sht 2019 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi është duke kaluar në formën më të mirë të karrierës së tij, me fanellën e gjigantit turk, Fenerbahce.

Që nga transferimi i tij nga Rizespor tek Fener, kosovari është shndërruar një ndër futbollistët kryesor të skuadrës.

Muriqi shënoi gol në ndeshjen e fundit të cilën  Feneri e fitoi me rezultat 2:1. Pas ndeshjes ai deklaroi se nuk janë me rëndësi golat e tij, aq sa janë pikët e plota për skuadrën.

“Nuk është me rëndësi nëse shënoj gol apo asistoj. Me rëndësi është që të kemi sukses si ekip. Jam i lumtur për golin e realizuar. Kemi marrë tre pikë të mëdha para derbit Galatasaray”, ka thënë Vedati, përcjell lajmi.net.

Tutje, ai ka thënë se dëshiron t’i shënojë gol edhe Galatasarayt, skuadër e cila ishte në garë për nënshkrimin e tij.“Do të doja të realizoja gol edhe në ndeshjen më të madhe në Turqi. Por, thashë më parë se puna në ekip është më e rëndësishme”, shtoi lojtari i Kombëtarës së Kosovës.

Prizrenasi u pyet edhe rreth interesimit të skuadrave të mëdha si Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid, Lazio, Napoli apo Fiorentina.

“Sa i përket interesimeve të klubeve është normale pas paraqitjeve të mira. Por, aktualisht jam i fokusuar te klubi im. Dua të bëjë histori me Fenerbahçen. Të ardhmes nuk i dihet”, përfundoi gjiganti nga Kosova.

Vedat Muriqi sot kishte zënë edhe faqën kryesore të gazetës turke ‘Fanatik’. Ai është një nga lojtarët me formën më të mirë në Turqi.

Të ngjashme