Muriqi i uron mbarësi Kosovës kundër Maqedonisë Veriore: Zemrën e kam me ju

Prishtinë | 08 Tet 2020 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi i ka uruar mbarësi bashkëlojtarëve të vet në ekipin kombëtar të Kosovës, për ndeshjen e sotme kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Kosova është mysafire e shtetit fqinj në Arenën Kombëtare Todor Proeski, në një ndeshje gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Euro 2020, që zhvillohet në orën 20:45.

Dhe Muriqi nuk do të jetë aty për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve të vet në përpjekje për ta arritur finalen e 11 nëntorit, trenin e fundit për Euro.

Sulmuesi i Lazios, i cili ishte ftuar nga trajneri Bernard Challandes për këtë ndeshje dhe dy ndeshjet e tjera të Kosovës këtë muaj në Ligën e Kombeve, u tërhoq nga lista për shkak të një lëndimi.

Sulmuesi nga Prizreni kishte shpresuar se do të riaftësohej me kohë nga lëndimi që e kishte pësuar muajin e kaluar, por nuk ia doli dhe u detyrua të mbetet në kryeqytetin italian për t’i vazhduar stërvitjet para se të rikthehet në fushë.

Por ai i ka ofruar mbështetje bashkëlojtarëve nga Roma, duke iu uruar mbarësi kundër maqedonasve.

 “Suksese djema. Unë dhe e gjithë Kosova zemrën e kemi me ju!” shkroi Muriqi në Instagram.

Muriqi – i cili iu bashkua Lazios nga Fenerbahce këtë muaj – është sulmuesi më pjellor i Kosovës dhe mungesa e tij sonte vlerësohet si shumë e madhe.

Ai i ka shënuar 8 gola në 23 paraqitje për Kosovën që prej debutimit më 2016, përfshirë katër gola në kualifikimet për Euro 2020.

Të ngjashme