Muriqi synon t’i kthehet boksit profesionist, por si trajner

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Elvir Muriqi nuk ka ndonjë plan më t’i kthehet ringut si boksier profesionist. Por, ish-boksieri kosovar që ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në boksin profesionist synon t’i kthehet boksit si trajner. Ai u pensionua nga boksi aktiv në vitin 2014.

Meçi i fundi i boksierit kosovar ishte më 16 qershor, i zhvilluar në Brooklyn të SHBA-së ndaj Sean Monaghan. Tash e gjashtë vjet, përkundër se nuk ka pasur asnjë meç, boksieri me prejardhje nga Peja, ka pasur stërvitje të vazhdueshme. Por, përkundër kësaj, 41-vjeçari thotë se pas përfundimit të karrierës nuk e ka menduar rikthimin në ring. Muriqi thotë se për t’u përgatitur për një meç të nivelit të lartë, duhet përgatitje e lartë fizike dhe përkushtim i madh, gjë të cilën nuk mund ta bëjë tani.

“Nuk i kam ndaluar stërvitjet, pasi që të merresh me sport gjatë gjithë kësaj kohe nuk është e lehtë të shkëputesh nga sporti. E kam menduar të rikthehem, por për t’u rikthyer në nivele të larta, duhet të bësh përgatitje të lartë fizike dhe duhet të përqendrohesh 100 për qind. Sigurisht që tani edhe obligimet e tjera që i kemi ma pamundëson të rikthehem, ashtu siç unë dëshiroj në nivele të larta. Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë dhe është më e vështirë të rikthehesh”, u shpreh Muriqi.

Ish-boksieri kosovar, gjatë karrierës së tij ka pasur edhe meçe me boksierë të njohur. Një ndër meçet më interesante në karrierën e Muriqit është edhe përballja me boksierin, Sam Ahmadin, ku Muriqi përkundër se ishte rrëzuar katër herë kishte arritur të ngrihet për ta fituar duelin. “Kam pasur shumë momente dhe kujtime të mira në karrierën time si boksier. Një të cilën e kisha veçuar është dueli me Sam Ahmadin, ku pasi isha rrëzuar katër herë nuk u dorëzova dhe u riktheva për ta fituar duelin. Ishte ndjenjë e jashtëzakonshme dhe një ndër meçet më të mira të karrierës sime”, deklaroi Muriqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme