Muriqi takohet me Galatasarayn, ky është vendimi final i tij

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi kosovar ia ka mbyllur dyert Galatasarayt, i cili synonte ta transferonte atë këtë muaj

Vedat Muriqi do të qëndrojë përfundimisht në Lazio, së paku deri në verë, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi kosovar është bërë së fundmi objektiv i Galatasarayt, i cili synonte ta transferojë qysh në janar.

Mirëpo, gjiganti turk ka marrë përgjigje negative nga futbollisti prizrenas.

Madje, përfaqësuesi kosovar është takuar sot me menaxherin e Galatasarayt, Hakan Balta, të cilit ia ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Lazio.

“Dua të rri në Itali”, ka thënë 26 vjeçari.

Eksperienca e Muriqit në Lazio nuk ishte prej më të mirave deri tash.

Ai nuk e ka gjetur ende golin në ndeshje zyrtare me “Biancocelesti” prej se u transferua nga Fenerbahçe verën e kaluar.

Ish-futbollisti i Rizesporit i realizoi tre gola në miqësoren e djeshme kundër të rinjve të Lazios.

Tash, ai është i vendosur t’i tregojë vlerat e tij edhe në ndeshje zyrtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme