NBA: LeBron s’mjafton, Lakers pranë eliminimit

Prishtinë | 02 Qer 2021 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Brooklyn Nets mbyllin llogaritë me Boston Celtics dhe kualifikohen në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes në NBA. Në ndeshjen e pestë të serisë, skuadra njujorkeze triumfoi 123-109, me rezultatin që shkon 4-1.

Goditjen përfundimtare një prej skuadrave më të titulluara në NBA ia dha James Harden me “triple-double”: 34 pikë, 10 asiste dhe po 10 “rebound”. Duhet veçuar gjithashtu kontributi i Irving dhe Durant respektivisht me 25 dhe 24 pikë.

Celtics provuan të rezistonin, udhëhoqën thuajse gjatë gjithë periodës së parë, rezistuan edhe në periodën e tretë, por në 12-minutëshin e fundit Nets patën një tjetër ritëm, duke thelluar diferencën dhe siguruar fitoren e kualifikimit.

Vetëm një fitore larg kualifikimit Phoenix Suns, që në përballjen e pestë dominuan 115-85 Los Angeles Lakers, me rezultatin e Serisë që shkon 3-2. Kampionët në fuqi të NBA-së ndien shumë mungesën e të dëmtuarit Anthony Davis. Nuk mjaftuan 24 pikët e LeBron James për të ndalur rivalët, të udhëhequr nga Devin Booker, autor i 30 pikëve.

Praktikisht sfida u mbyll që në pjesën e parë, me një diferencë të frikshme prej 30 pikësh në favor të skuadrës nga Arizona, teksa vetëm në periodën e dytë u regjistrua një rezultat I pjesshëm 32-10. Tashmë Suns kanë dy “match point” në dispozicion për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Perëndimit.

Denver Nuggets vuajtën shumë për të marrë fitoren e tretë përballë Portland Trail Blazers. U nevojitën dy kohë shtesë që skuadra nga Colorado të triumfonte 147-140, me rezultatin e serisë që shkon në 3-2.

Një përballje e çmendur, me Nuggets gjithmonë në epërsi, madje edhe me +22 pikë në pjesën e parë, por Blazers nuk u dorëzuan, duke rikuperuar shumë gjatë dy periodave të fundit, megjithatë nuk mundën të bënin më shumë në shtesën e dytë, edhe pse kishin në përbërje një Damien Lillard monstruoz, autor të 55 pikëve, ndërsa për Nuggets më i miri rezultoi i zakonshmi Nikola Jokic, që e mbylli takimin me 38 pikë, 11 “rebound” dhe 9 asiste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme