NBA: Nis faza Play Off, fitojnë Toronto dhe Clippers

Prishtinë | 18 Gus 2020 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

NBA ka shkuar në fazën më interesante të sezonit, atë të Play Off-it, ku edhe janë zhvilluar katër përballjet e para tashmë. Kështu kampionët në fuqi, kanadezët e Toronto Raptors e nisën mjaft mirë, pasi fituan ndeshjen e parë ndaj Brooklyn Nets me rezultatin e thellë 134-110.

Në “AdventHealth” të Orlandos, kanadezët nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren, pasi dominuan 3 nga 4 fraksionet e lojës, ndërsa Nets bënë shumë pak për të shmangur humbjen apo për të shpresuar në një përmbysje në sfidat e ardhshme.

Në arenën tjetër të Orlandos “HP Field House” u zhvillua një përballje mjaft spektakolare mes Denver Nuggets dhe Utah Jazz, ku vendasit ia dolën të çojnë në favor të tyre ndeshjen e parë, vetëm pas luajtjes së kohës shtesë.

Koha e rregullt përfundoi në barazim 115-115, ndërsa në shtesë Utah Jazz u dorëzua duke humbur me shifrat 20-10 dhe gjithë ndeshjen 135-125, por edhe duke zhvlerësuar një paraqitje mbresëlënëse të Donovan Mitchel, i cili shënoi 57 pikë, rikuperoi 9 topa dhe dha 7 asiste.

Slloveni Luka Doncic dhuroi gjithashtu në paraqitje mjaft të mirë në sfidën Play Off mes Los Angelos Clippers dhe Dallas Mavericks, duke regjistruar 42 pikë, 7 rikuperime dhe 9 asiste, por që nuk i mjaftuan të tijve për të shmangur humbjen.

Skuadra nga Los Angeles menaxhoi më mirë lojën dhe arriti të fitojë me shifrat 118-110, ndërsa fati i ndeshjes u vendos në fraksionin e tretë ku Clippers përfituan nga një “black out” i Mavericks dhe fituan me shifrat 21-13.

Jayson Tatum dhe Jaylen Brown ishin protagonistë për Bostonin në përballjen e parë Play Off përballë Philadelphia 76ers, pasi të dy bashkë shënuan 61 pikë, rikuperuan 19 topa dhe dhanë 5 asiste, duke i dhënë fitoren Celtics me shifrat 109-101.

Të ngjashme