NBA, spektakël në finalen e Perëndimit. Fituesi, pas sfidës së 7

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 12:29 | Nga

Emocione dhe drithërima pati në sfidën e 6 të finales së Konferencës së Perëndimit, mes Golden State dhe Houston Rockets.

Në “Oracle Arena”, “Warriors”-at bënë mrekullinë teksa e fituan këtë përballje me rezultatin 115-86, duke bërë që seria e ndeshjeve me teksanët të barazohet në 3-3, kështu që skuadra që do të luajë finalen e madhe do të përcaktohet pas ndeshjes së 7.

Fillimi i sfidës ishte perfekt për Houstonin, që nuk kishte në dispozicion Chris Paul për shkak të një dëmtimi në gju, duke e mbyllur periodën e parë me një avantazh prej 17 pikësh, 39-22, ndërkohë që në pushimin e sfidës shkoi me avantazhin e 10 pikëve, 61-51.

Por, kur u mendua se nuk do të ishte problem për Houstonin të administronte këtë avantazh, që do të mbyllte të gjitha llogaritë, atëherë nisën problemet.

Me rikthimin në parket, yjet e Golden State, sidomos Stephen Curry e Klay Thompson, bënë që “Warriors”-at të shënojnë një rezultat të pjesshëm 33-16 në periodën e tretë, ndërkohë që rezultati i 12-minutëshit të fundit të lë pa fjalë: 31-9 për kampionët në fuqi të NBA-së, që shfaqën të gjithë krenarinë e tyre duke qëndruar në lojë për një tjetër finale të madhe.

Sfida vendimtare, ajo e 7 mes Golden State dhe Houstonit, do të zhvillohet mbrëmjen e së martës në “Toyota Center”, në Houston.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme