NBA: Utah Jazz rikthehet te fitorja, vazhdon forma e mirë e Clippers

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Vetëm 24 orë pas humbjes ndaj Washington Wizards, Utah Jazz është rikthyer te fitorja, pasi këtë herë ka mposhtur me shifrat 106-96 Ocklahoma City Thunder në sfidën e zhvilluar në Salt Lake City.

Miqtë nga Ocklahoma e nisën vrullshëm ndeshjen, falë edhe një forme perfekte të kanadezit Luguantz Dort, i cili e mbylli ndeshjen me 42 pikë, 7 asiste dhe 3 rikuperime, megjithatë Utah reagoi mirë në fraksionin e dytë dhe të tretë, duke dominuar plotësisht dhe marrë kryesimin e lojës, të cilin e mbajti deri në fund.

Vijon të bëjë mirë edhe Los Angeles Clippers, që triumfoi me shifrat 115-126 në transfertën ndaj Indiana Pacers, duke regjistruar fitoren e 6 radhazi këtë sezon. Në tre fraksionet e para sfida ishte e balancuar, ndërsa Clippers bënë diferencën vetëm në pjesën e fundit, duke blinduar suksesin.

Paul George ishte më i miri i ndeshjes me 36 pikë të shënuara, 7 asiste dhe 8 rikuperime, ndërsa për vendasit e Indianës spikatën Brogdon dhe Levlet, që gjithsesi nuk ia dolën të shmangin humbjen e Pacers.

Ndonëse pa yjet LeBron James dhe Anthony Davies, të cilët vijojnë të jenë të dëmtuar, Los Angeles Lakers ia ka dalë të marrë një tjetër sukses, këtë herë në transfertën ndaj Charlotte Hornetts me shifrat 93-101.

Edhe ky takim ishte i balancuar dhe i luftuar shumë nga të dy skuadrat, por kalifornianët ia dolën të bëjnë diferencën në fraksionin e tretë, falë formës së mirë të Kyle Kuzma dhe gjermanit Denis Schroder.

Fitore pa shumë mundim për Phoenix Suns, që ia doli të triumfojë me shifrat 106-86 në sfidën përballë Miami Heats. Këta të fundit e nisën vrullshëm fraksionin e parë të ndeshjes, por më pas ishin vendasit që morën kontrollin e lojës dhe dominuan totalisht deri në fund, duke regjistruar edhe suksesin e katërt radhazi.

Në sfidat e tjera, Boston Celtics ia doli të fitojë me rezultatin e ngushtë 115-116 në transfertën ndaj Portland Trail Blazers, ndërsa Atlanta Hawks triumfoi me shifrat 103-108 në transfertën ndaj kanadezëve të Toronto Raptors.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme