NBA: Warriors shkatërrojnë Hornets, Nuggets dështojnë ndaj Wizards

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Veniten shpresat e Charlotte Hornets për një vend në zonën play off në Konferencën e Lindjes në NBA. Skuadra me pronar legjendën e basketbollit amerikan, Michael Jordan, u dorëzua pa kushte në parketin e Golden State Warriors, 137-90.

Trioja e përbërë nga Steph Curry (25 pikë), Klay Thompson (24 pikë) dhe Quinn Cook (21 pikë) dominoi që në fillim të sfidës, ndërsa në radhët e Hornets i vetmi që u shpëtoi kritikave ishte Guillermo Hernangomez, që e mbylli takimin me 22 pikë të shënuara.

Humbje në minutat e fundit për Denver Nuggets 90-95 ndaj Washington Wizards, edhe pse skuadra nga Colorado e udhëhoqi takimin thuajse në tre perioda. Troy Brown me 24 pikë dhe dyshja e formuar nga Jabari Parker (20 pikë) dhe Thomas Bryant (20 pikë e 14 “rebound”) u dhuruan fitoren e papritur skuadrës mike.

Sukses plot shkëlqim për Los Angeles Clippers 113-96 ndaj Memphis Griezzlies. Spikati veçanërisht Danillo Gallinari me 27 pikë e 14 “rebound”, pa nënvlerësuar mbështetjen e Montrezl Harrell (20 pikë) dhe të Lou Williams (17 pikë).

San Antonio Spurs dështuan 106-113 përballë Sacramento Kings, me Buddy Hield që rezultoi më i miri për Kings me 26 pikë, por kjo fitore vlen vetëm për statistikë, pasi Sacramento është matematikisht jashtë zonës play off.

Pengu i skuadrës teksane, e drejtuar nga Gregg Popovich, është fakti se nuk përfitoi nga humbja e papritur e Oklahoma City Thunder 103-106 ndaj Dallas Mavericks. Nuk mjaftuan 27 pikët dhe 11 “rebound” të Paul Geroge, apo “triple-double” i Russell Westbrook (25 pikë, 11 asiste e 11 “rebound”), pasi Mavericks përmbysën gjithçka në minutat e fundit falë lojës së Trey Burke dhe Jalen Brunson, respektivisht me 25 dhe 18 pikë.

Fitore pa vlerë e Los Angeles Lakers, 102-130 në parketin e New Orleans Pelicans pa praninë e LeBron James, ndërsa Milwaukee Bucks, të konfirmuar forcë e parë në Lindje, lëshuan ndaj Atlanta Hawks, duke u mposhtur me vetëm një pikë diferencë në kohën shtesë, 136-135.

Rezultatet:

Atlanta Hawks – Milwaukee Bucks 136-135 dts

Oklahoma City Thunder – Dallas Mavericks 103-106

New Orleans Pelicans – Los Angeles Lakers 102-130

San Antonio Spurs – Sacramento Kings 106-113

Denver Nuggets – Washington Wizards 90-95

Golden State Warriors – Charlotte Hornets 137-90

Los Angeles Clippers – Memphis Grizzlies 113-96

Të ngjashme