NBA: Warriors të pandalshëm, James dhe Lakers vazhdojnë me humbje

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Golden State Warriors vazhdojnë të pandalshëm rrugëtimin e saponisur drejt rikonfirmimit si kampionë të NBA.
Skuadra që po dominon basketbollin amerikan vitet e fundit shkatërroi 124–149 Chicago Bulls në “United Center”.

“Ylli” i kësaj ndeshjeje nuk ishte Stephen Curry, që shënoi 23 pikë, por Klay Thompsom, që realizoi në total plot 52 pikë, të gjitha në më pak se 27 minuta lojë, pra në vetëm tri perioda.

Një mbrëmje për t’u shënuar në kalendar për 28-vjeçarin, që ishte i saktë në plot 14 herë në gjuajtjet për tre, duke thyer rekordin e Stephen Curry-t (13), si dhe mban rekordin e numrit të pikëve në një ndeshje për këtë sezon. Gjithashtu është rekordmeni i NBA për numrin e trepikëshave të realizuar brenda një pjese (dy periodat e para).

Tjetër humbje për Los Angeles Lakers dhe LeBron James, këtë herë 124-120 në parketin e Minnesota Timberwolves. I papërmbajtshëm Jimmy Butler me 32 pikë, 4 asiste dhe 6 topa të kontrolluar poshtë koshit, duke i rrëmbyer skenën e më të mirit LeBron James, që shënoi në total 29 pikë, dha 7 asiste dhe rikuperoi 10 topa, por pa mundur të japë më shumë për fitoren.

Madje në periodën e fundit humbi lehtësisht një top që u dha fund shpresave të kalifornianëve për një përmbysje “in extremis”.

Milwaukee Bucks dhe Toronto Raptors ishin dy skuadrat e vetme që nuk kishin pësuar humbje në këtë fillim sezoni të NBA. Në përplasjen mes tyre triumfuan Bucks 124-109, por në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t munguan “yjet” Giannis Antetokounmpo dhe Kawhi Leonard, që e zbëhen disi spektaklin e kësaj përballjeje. Spanjolli Ibaka spikati me plot 30 pikë për Raptors, por diferencën e bëri stoli i Bucks, me plot 7 lojtarë që shënuan mbi 10 pikë.

U desh koha shtesë për të përcaktuar fituesit në sfidën mes San Anotnio Spurs dhe Dallas Mavericks. Koha e rregullt përfundoi 102-102, por në fund triumfuan vendësit 113-108, falë formës së shkëlqyer të DeRozan që shënoi në total 34 pikë, dha 9 asiste dhe kontrolloi 6 topa, ndërsa për Mavericks spikati talenti slloven Luka Doncic me 31 pikë.

Në takimet e tjera u shënuan këto rezultate:

Denver Nuggets-New Orleans Pelicans 116-111

Philadelphia 76ers-Atlanta Hawks 113-92

Indiana Pacers-Portland Trail Blazers 93-103

Miami Heat-Sacramento Kings 113-123

New York Knicks-Brooklyn Nets 115-96

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme