Ndërrim kursi, tash nga Shqipëria vijnë në Kosovë

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Deri para dy vjetësh Kosova e ka pasur të vështirë t’i ndalte futbollistët më të mirë të kampionatit për të mos u transferuar në Shqipëri.

Por tash gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike dhe ekipet kosovare jo vetëm që po i kthejnë ata, por edhe po i transferojnë në radhët e veta lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, shkruan sot Koha Ditore. Ka nga ata edhe që kanë luajtur me Kombëtaren shqiptare.

Ky ndërrim kursi ka ardhur pak kohë pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA e UEFA, por edhe falë investimeve që po bëjnë ekipet e Superligës së Kosovës. E derisa ekipet në Kosovë po e marrin veten, në Shqipëri disa po shkojnë drejt falimentimit, si Skënderbeu i Korçës për shembull, apo edhe Flamurtari i Vlorës dhe Luftëtari i Gjirokastrës.

Përforcimi i fundit i madh nga Superiorja e Shqipërisë në Kosovë është mesfushori i njohur Gerhard Progni, i cili të premten firmosi kontratë njëvjeçare me Gjilanin. Progni, që ka bërë karrierë nëpër skuadrat më të mira të Shqipërisë: Teuta, Partizani, Skënderbeu, Kukësi e Flamurtari, është përforcimi i gjashtë te Gjilani gjatë kësaj vere nga kampionati shqiptar prej tetë lojtarëve të transferuar këtë verë. Para tij, Gjilani ka transferuar edhe Bedri Grecën, Oltion Rapën, Shkëlzen Ruçin, Jackson Ferreiran dhe Erlis Frashërin. E në krye të ekipit është trajneri nga Shqipëria, Gentjan Mezani, që më herët ka punuar te Luftëtari, Laçi e Flamurtari i Vlorës.

Të ngjashme