Ndeshja humanitare e serbëve e fut në telashe FFK-në

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 15:49 | Nga

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të shqyrtojë mundësinë që në të ardhmen të mos japë leje për zhvillimin e ndeshjes, që tashmë është shndërruar në tradicionale, ndërmjet ekipit serb Graçanica dhe skuadrës nga Beogradi, Cërvena Zvezda.
Kjo ndeshje luhet tash e dy vite në fund të çdo maji dhe proklamohet nga organizatorët si humanitare, por në të vazhdimisht bëhen fyerje antishqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

Të tilla pati edhe në ndeshjen e zhvilluar, të martën, kur rreth 2.000 tifozë serbë në Graçanicë kënduan këngë patriotike serbe, bën fyerje për shqiptarët dhe thirrje se Kosova është zemra e Serbisë. U intonua edhe himni i Serbisë dhe u shpalosën shumë flamuj të këtij vendi fqinj.

FFK-ja ka dhënë leje për këtë ndeshje, sikur edhe vitin e shkuar, por për vitin e ardhshëm thotë se do ta analizojë mirë situatën, sikur edhe atë që ndodhi në ndeshjen e fundit. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se këtë çështje do ta paraqesë edhe në UEFA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme