Ndeshja me Poloninë, si një finale për Shqipërinë

Prishtinë | 12 Tet 2021 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Kuqezinjtë me një fitore eventuale ndaj polakëve sonte do t’i afroheshin kualifikimit historik në Kampionat Botëror

Kombëtarja shqiptare gjendet para njërës prej sfidave më të rëndësishme në histori të saj.

Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë, në luftën direkte për vend të dytë në grup, në kualifikimet e Botërorit 2022.

Aktualisht, Shqipëria është e dyta në Grupin I me 15 pikë, një më shumë se Polonia, shkruan Gazeta Express.

Ekipi i Edy Rejas vjen nga fitorja e madhe ndaj Hungarisë në udhëtim.

E tash, Kuqezinjtë duan ta fitojnë edhe ndeshjen që po konsiderohet si një finale.

Trepikëshi eventual në “Arena Kombëtare” do ta afronte Shqipërinë edhe më shumë me kualifikim historik në Botërorin e Katarit.

Trajneri Edy Reja thotë se ekipi duhet të jetë i përqendruar sonte.

Ai e konsideron Poloninë si një kundërshtar të vështirë dhe të nivelit të lartë.

Gjithashtu, e zbuloi ëndrrën për ta kapur “play-offin” në tri ndeshjet e fundit të grupit.

“Duhet të kesh personalitet mbi të gjitha në ndeshje të tilla. Ne jemi të bindur që mund të ëndërrojmë deri në fund. Ne luajmë në shtëpi dhe nuk kemi asgjë për të humbur. E rëndësishme për lojtarët është që të jenë sa më të qetë dhe të jenë të bindur që mund të arrijmë të marrim një rezultat të mirë. Por sigurisht, në ndeshje të tilla, edhe fati është shumë i rëndësishëm. Kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur që të bëjmë sa më pak gabime dhe duam të ëndërrojmë pasi jemi të bindur që mund edhe t’ia dalim kësaj ëndrre”, deklaroi Reja në konferencë për shtyp.

Sipas tij, edhe nëse Shqipëria fiton me Poloninë, i ka edhe dy ndeshje të tjera dhe nuk mbaron puna këtu.

Kjo ndeshje do të fillojë në orën 20:45. 

Të ngjashme