Ndeshjet e 1/8 të finales së Championsit luhen në stadiumet vendase

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 20:22 | Nga Ekonomia Online

UEFA të enjten ka vendosur që katër ndeshjet e kthimit të një të tetës të finales të Ligës së Kampionëve të luhen në stadiumet e skuadrave vendase. Këto ndeshje është dashur të luhen në mars, por janë shtyrë për shkak të koronavirusit dhe do të luhen muajin e ardhshëm.

UEFA thotë se ndeshjet do të luhen në stadiumet e skuadrave vendase nëse nuk ka pengesa në udhëtim.

E njëjta gjë vlen edhe për ndeshje e kthimit të një të tetës të finales të Ligës së Evropës.

Manchester City do të luajë me Real Madridin, Bayerni me Chelsean, Juventusi me Lyonin dhe Barcelona me Napolin. Këto ndeshje pritet të luhen më 7 e 8 gusht.

UEFA ka thënë se vendimi bazohet në parimet e ferplejit dhe se ka marrë për bazë faktin se këto katër skuadra vendase i luajnë ndeshjet kampionale në stadiumet e tyre.

UEFA do të monitorojë situatën dhe do të zhvendos ndeshjet në Portugali nëse ndeshjet nuk do të mund të organizohen në vendet e parapara.

Faza finale, duke filluar nga çerekfinalja, do të luhet në Portugali. Ndërkohë faza finale e Ligës së Evropës do të luhet në Gjermani. Do të luhet vetëm nga një ndeshje e jo nga dy si zakonisht.

UEFA ka konfirmuar se përballjet e Ligës së Evropë, Inter – Getafe, Sevilla – Roma, që nuk janë luajtur fare, do të luhen me nga një ndeshje në Gjermani.

Të ngjashme