Ndihmëstrajneri i Kosovës: Milot Rashica në konflikt me Werderin, dëshiron të vijë të luajë

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ditë më parë publikoi listën e futbollistëve të ftuar për tri ndeshjet e “Dardanëve” për muajin nëntor.

Kosova fillimisht do ta zhvillojë një miqësore vëllazërore me Shqipërinë, derisa më pas do të luajë me Slloveninë dhe Moldavinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Për shkak të situatës së rënduar me COVID-19 në Evropë, Werder Bremeni dhe St. Pauli nuk do t’i lejojnë Milot Rashicën, respektivisht Leart Paqaradën të grumbullohen me Kosovën në ndeshjet e nëntorit.

Lidhur me mungesat e Rashicës dhe Paqaradës ka folur ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.

Sahiti ka thënë se në ditët e ardhshme do të vendoset nëse dyshja në fjalë do të zëvendësohen.

“Do ta shohim në ditët në vijim nëse do t’i zëvendësojmë Milotin apo Paqaradën, apo mund të vazhdojmë edhe me këtë listë të mbetur”.

“Kam biseduar dje (e enjte) me Milotin dhe ai është në një situatë të keqe. Madje, ai ka edhe një konflikt me Werder Bremenin për këtë arsye. Ai dëshiron të vie për këto ndeshje me çdo kusht”.

“Megjithatë, UEFA dhe FIFA u kanë dërguar letra klubeve se mund t’i ndalin lojtarët t’iu bashkohen Përfaqësueseve për shkak të situatës me pandemi”, ka thënë Muharrem Sahiti për “Zeri.info”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme