Ndonëse i dobësuar, Parisi shpreson në fillim të furishëm

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Paris Saint-Germaini ishte aq afër triumfit që e dëshironte më shumë se gjithçka tjetër sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve. Mirëpo parisienët shpresojnë se këtë edicion do të arrijnë ta fitojnë trofeun e çmuar, shkruan AFP. 

Ekzistojnë shqetësime se klubi në pronësi të Katarit mund të ketë bërë hap prapa gjatë muajve të fundit. Përvoja më e madhe e Bayern Munchenit bëri që në finalen e luajtur në Lisbonë në muajin gusht, bavarezët ta fitojnë ndeshjen me rezultatin 1:0. Për PSG-në, kjo ishte hera e parë në histori që kishte arritur në finale të Championsit.

Dy muaj më vonë, ekipi i trajnerit gjerman Thomas Tuchel e nis kampanjën për suksesin evropian, kur të martën (sot) fillon edhe faza e grupeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2020/21. Ndeshjen e parë të edicionit të ri, PSG-ja e luan në shtëpi kundër skuadrës së Manchester Unitedit prej orës 21:00. Është ky një rimeç i vitit 2019, kur ekipi francez u eliminua nga Manchesteri në 1/8 e finales pas penalltive. Ndeshja sjell përsëri kujtime për një nga disfatat e dhimbshme në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit, por realiteti është që Parisi duhet të konsiderohet favorit kundër skuadrës angleze dhe për ta fituar grupin H, të cilin e përbëjnë edhe RB Leipzigu e Istanbul Bashakshehiri.

Megjithatë, nëse ky do të jetë sezoni që PSG-ja do të shkojë deri në fund në Champions, mbetet të shihet. Trajneri Tuchel ka qenë i pari që është ankuar se skuadra e tij është më e dobët sesa ishte sezonin e kaluar pasi gjatë verës janë larguar disa lojtarë kryesorë. Gjithashtu këtë edicion PSG-ja e ka nisur me dëmtime të shumta, pastaj pezullime dhe raste të prekura me COVID-19.

Ndeshjet e sotme

Grupi E

Chelsea – Sevilla (21:00)

Rennes – Krasnodar (21:00)

Grupi F

Zenit – C. Brugge (18:55)

Lazio – Borussia D. (21:00)

Grupi G

Dynamo K. – Juventus (18:55)

Barcelona – Ferencvaros (21:00)

Grupi H

PSG – Man. Utd (21:00)

Leipzig – Istanbul B. (21:00)

Të ngjashme