Në “djepin e futbollit” për synimin e madh

Prishtinë | 10 Sht 2019 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Kosova luan me njërën prej përfaqësueseve më të mëdha në botë. Kundërshtarja e ardhshme e Kosovës ka “shkelur” rivalët e tjerë në grupin kualifikues për “Euro 2020” dhe ka top-lojtarë. Por te Kosova nuk kanë frikë. Fjalën “frikë” refuzojnë ta përfshijnë në fjalor. Dhe të paktën “luftë” në fushë do t’i ofrojnë kundërshtarit.

Ndeshja Angli – Kosovë është më e madhja e “Dardanëve” deri më tani. Luhet të martën (sot, 20:45) në Southampton dhe i takon eliminatoreve për “Euro 2020”. Anglia në Botërorin e vitit të kaluar luajti në gjysmëfinale. Këtë vit luajti edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Ka ligën më të fortë në botë, skuadrat më të fuqishme në botë. Ka shumë lojtarë yje. Është “djepi i futbollit”, shkruan sot Koha Ditore.

Pikërisht në “djepin e futbollit” të përzgjedhurit e Bernard Challandesit synojnë paraqitje të madhe. Në fushë do të dalin në kërkim të befasisë, të vetëdijshëm që Anglia në letër është favorite absolute.

Fitoret 5:0 ndaj Çekisë, 5:1 ndaj Malit të Zi dhe 4:0 ndaj Bullgarisë, dëshmojnë që anglezët kanë shëtitur në grup deri më tani. Tani është koha që luftëtarët e Challandesit të testojnë forcën e anglezëve.

Të ngjashme