Në Francë mbahet turne me emrin e selektorit të Kosovës

Prishtinë | 17 Qer 2022 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

“Giresse Cup 2022” është turneu i futbollit për njomakë, që është dashur të mbahet këtë fundjavë në qytetin e vogël francez, Balma. Turneu për grupmoshën U10 dhe U12 është shtyrë në momentet e fundit për shkak të temperaturave të larta në atë pjesë të Francës.

Turneu pritet të mbahet më vonë, ndërsa e mban emrin e selektorit të Kosovës, Alain Giresse. Giresse është emër i njohur në futbollin francez, ndërsa në Kosovë është kritikuar goxha shumë pas rezultateve të fundit me “Dardanët”.

“Duke u përballur me valën e të nxehtit, që do të jetë në Toulouse në fundjavë, u mor vendimi që të shtyhet ‘Giresse Cup 2022’, i planifikuar për 18 e 19 qershor. Turneu shtyhet, ndonëse janë bërë të gjitha përgatitjet nga klubi BSC dhe qyteti Balma. Shëndeti i fëmijëve është prioritet”, thuhet në njoftim.

Shorti për turne është tërhequr, ndërsa në ceremoni të shortit ishte edhe Giresse. Turneu me emrin e selektorit të Kosovës do të mbahet për herë të parë. Sipas njoftimit të “balmafoot”, Giresse është edhe sponsor i turneut për fëmijë.

31 ekipe të fëmijëve ishin paraqitur për pjesëmarrje në turne. Ndër të tjera edhe PSG, Real Sociedad e disa ekipe tjera të njohura franceze.

Partnerë të turneut të Giresses janë UNICEF dhe organizata Hellio. Turneu ka qëllim të mbrojë të drejtën e fëmijëve që të merren me sport.

“Një turne për grupmoshën U10 dhe U12 në nderim të karrierës së Alain Giresse”, ka thënë Roger Cau nga Balma Sporting Club, kur prezantoi edicionin e parë të Giresse Cup.

“Ky turne do t’u mundësoi të gjithë pjesëmarrësve që të jenë të lumtur, të kënaqen duke luajtur futboll. Pjesëmarrësit duhet të respektojnë rregullat, të respektojnë ekipin, lojën dhe sportin”, ka theksuar Giresse.

Giresse 69-vjeçar ka bërë emër si lojtar i Bordeaux, ku kaloi 16 vjet. Më pas luajti edhe për Marseille. Për Francën ka luajtur 47 ndeshje dhe ka realizuar gjashtë gola. Si trajner ka punuar në shumë vende, por nuk i kishte sukseset që i kishte si lojtar. Te Kosova është prej muajit shkurt.

Të ngjashme