Më në fund, suksesi i Shabanit do të shpërblehet

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 12:42 | Nga

Për Bujar Shabanin, dy vjet e gjysmë të kaluar te Ferronikeli i Drenasit mbeten më të suksesshmit në karrierë. Këtë e thotë vetë futbollisti nga Ferizaj.

Me Ferronikelin fitoi gjithçka që mund të fitohet në nivel vendi – dy tituj rresht, një Kupë dhe një Superkupë, shkruan sot “Koha Ditore”. Por atë që nuk arriti ta shijojë me klubin nga Drenasi, do ta bëjë gjatë muajit qershor me Dritën e Gjilanit.

Shabani 27-vjeçar me gjilanasit fitoi titullin e kampionit dhe të drejtën e paraqitjes në parakualifikime të Ligës së Kampionëve për edicionin e ri. Në të dyja klubet luajti rol të rëndësishëm si mesfushor i qendrës.

“Me Ferronikelin fitova çdo trofe që mund të fitohet në futbollin kosovar. Por me Dritën fitova diçka më shumë. Jam i lumtur që me Dritën do ta përfaqësojmë Kosovën në Ligën e Kampionëve. Me Ferronikelin fatkeqësisht nuk ia dolëm të luajmë në Evropë, meqë ishte periudhë e shkurtër nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Megjithatë, mbetet si periudha më e suksesshme në karrierë”, ka thënë Shabani.

Te Drita u transferua në fillim të sezonit që përfundoi suksesshëm. U transferua nga Ferronikeli. Ishte kthimi i dytë i tij te Drita, meqë edhe dy vjet, nga 2012 deri në 2014, ishte pjesë e gjilanasve.

“Pasi pash që Drita po përforcohej dhe po investonte kuptova që kishte projekt të madh dhe me kënaqësi pranova kthimin. Ishte kthim i suksesshëm, sepse ëndrra për të luajtur në gara evropiane për mua dhe futbollistët e tjerë u bë realitet”, ka theksuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme