Në Gjilan hapet panairi i sportit

Prishtinë | 22 Tet 2019 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar masivizimin e sportit në Kosovë, duke organizuar aktivitete të cilat kanë për qëllim joshjen e fëmijëve për t’u marrë me sport.

Për këtë, KOK gjatë ditës së sotme ka organizuar edicionin e pestë të Panairit të Sportit, i cili do të mbahet më 22 tetor në shumicën e komunave të Kosovës.

22 tetori koincidon me pesëvjetorin e njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Panairi i Sportit ka për qëllim të promovojë sportet, klubet dhe rezultatet e arritura nga sportistët e komunës e po ashtu t’u krijojë mundësinë fëmijëve të shkollave fillore që të shohin nga afër praktikimin e sporteve dhe që ata të kenë mundësinë të regjistrohen në klubet e sportet që ata pëlqejnë më shumë.

Ky panair është mbajtur në këto komuna: Ferizaj, Mitrovicë, Drenas Vushtrri, Deçan, Obiliq, Viti, Kaçanik, Fushë Kosovë, Rahovec, Podujevë, Lipjan, Gjakovë, Hani të Elezit, Pejë, Suharekë, Istogu, Kamenicë, Skenderaj dhe Malishevë ndërsa hapja e tij kësaj radhe është bërë në qytetin e Gjilanit.

Në këtë komunë i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që pjesëmarrësit të tregojnë aftësitë para atyre që ju kanë bashkangjitur këtij organizimi.

“Derisa jam këtu dua t’iu them se sot 5 vite na ka njohur Komiteti Olimpik ndërkombëtar dhe kjo ka qenë ngjarja historike, ngjarja shumë e rëndësishme që i hapi rrugët të gjithë sportistëve të jenë prezent në garat me karakter ndërkombëtar, ku atje edhe u dëshmua se mund të ja dalim me shtetet me të zhvilluara. Vetëm t’iu përkujtoj medalja e artë e Majlinda Kelmendit e ka radhitur Kosovën në mesin e 100 shteteve të vetme me medalje Olimpike, përderisa mbeten 106 shtete, që ende nuk e kanë përjetuar gëzimin që të kenë medalje të artë Olimpike. Qëllimi i këtij aktiviteti është që ata që na vizitojnë sot, ju para tyre të demonstroni shkathtësitë e juaja në mënyrë që të jeni sa më atraktiv për djemtë dhe vajzat e reja që të merren me sport”, tha Hasani.

Ndërsa kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u shpreh se me përmirësimin e infrastrukturës sportive shpreson që në të ardhmen të kemi sa më shumë medalje olimpike.

“Ne nga Gjilani sot përveç ekspozimit të sukseseve të klubeve, sporteve kolektive dhe individuale, fëmijët e vegjël, fëmijët e shkollave, nxënësit mund ta shohin nga afër demonstrimin e talentëve të rinj që besojmë që shumë shpejt do t’i përngjajnë sportistëve olimpik, do të sjellin medalje olimpike dhe do të na bëjnë krenar kudo që jemi. Sporti shkollor është i obligueshëm. Unë do të vazhdoj me mbikëqyr dhe me inkuraju deri në fund që të gjitha shkollat fillore, shkollat e mesme ta aplikojnë sepse e kemi ndërtuar një infrastrukturë jashtëzakonisht të mirë për sportet shkollore, ndërsa për aktivitetet tjera besoj shumë që me mbështetjen e presidentit, Besim Hasani do të arrijmë që shpresat tonë olimpike që janë në karate, në boks dhe në sportet tjera ta kenë mbështetjen më të madhe edhe të komunës edhe të Komitetit Olimpik”, u shpreh Haziri.

Kujtojmë që Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve të komunave për organizimin e Panairit, derisa pret që në të ardhmen edhe komunat tjera të reflektojnë me organizim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme