Në “Karagaç” kthehet derbi që u ka munguar të gjithëve

Prishtinë | 05 Tet 2019 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Federata e Basketbollit e Kosovës me dy fjali e kishte përmbledhur njoftimin për kthimin e klubit të basketbollit Peja në Superligën e Kosovës. Duhet shumë më tepër hapësirë dhe fjali për të paraqitur rëndësinë e Pejës për basketbollin kosovar dhe fitoret e basketbollit kosovar nga kthimi i Pejës së fuqishme, ndonëse për inkuadrim të saj në Superligë nuk është përfillur gara.

Me kthimin e Pejës së fuqishme, basketbollit dhe sportit kosovar në përgjithësi i kthehet një prej derbive më të mëdhenj, ai Peja – Sigal Prishtina, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja, që FBK-ja e cilëson superderbi, ndërmjet Pejës e Sigal Prishtinës, zhvillohet të shtunën (sot, 19:00) në palestrën “Karagaç” në Pejë, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës. Për Pejën është ndeshja e parë si vendase në Superligë pas riaktivizimit, përkatësisht pas kthimit në elitë. Në të kaluarën, për kohë të gjatë, ndeshjet ndërmjet Pejës dhe Prishtinës kanë ofruar momente dramatike në parket e atmosferë të zjarrtë në tribuna. Ka pasur kohëra kur palestra “Karagaç” nuk i ka zënë të gjithë të interesuarit për të parë nga afër ndeshjen Peja – Prishtina. Vështirë se menjëherë interesimi i tifozëve pejanë do të jetë i njëjtë, por te Peja presin numër të madh shikuesish dhe atmosferë të zjarrtë.

“Kthimi i Pejës në Superligë është lajm shumë i mirë për basketbollin kosovar”, ka thënë të premten Bujar Loci, trajner aktual i Sigal Prishtinës. Loci ka një jetë te Peja. është simbol i ekipit pejan, por që tashmë po e drejton Prishtinën, skuadrën më të suksesshme në vend. Loci ishte në Pejë prej themelimit të klubit në vitin 1993. Ka qenë kohë të gjatë lojtar e më pas në shtab teknik, herë si trajner e herë si ndihmës. Largimi i tij nga Peja më shumë ishte i detyruar, për shkak të krizës së thellë të klubit e më pas shuarjes së përkohshme.

Njeriu i Pejës në krye të Prishtinës

“Pres që në derbi të shfaqet lojë e mirë. Besoj që do të ketë shikues, interesim e atmosferë. Le të fitojë kush është më i mirë”, ka theksuar Bujar Loci. “Natyrisht që për mua do të jetë një ndeshje emocionale. Kam kaluar një jetë te Peja. Isha pjesë e klubit prej themelimit të tij e deri në shuarje. Tash klubi është riaktivizuar dhe kjo është shumë mirë. Nuk do të jetë lehtë për mua, por unë jam profesionist dhe do të mundohem për epilog pozitiv të skuadrës që e drejtoj”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme